Kastrioti ka shënuar fitore të thellë ndaj kampionit në fuqi, Rahovecit, në derbin e javës së gjashtë të Superligës së Kosovës në hendboll. Ndeshja e zhvilluar të shtunën mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj përfundoi me rezultatin bindës 36:25 në favor të vendasve.

Rahoveci e nisi më mirë takimin, duke kaluar në epërsi 3:0, por Kastrioti reagoi shpejt, barazoi dhe më pas mori kontrollin e plotë të lojës. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë 17:14 për ferizajasit, ndërsa në pjesën e dytë ata dominuan plotësisht në të dyja fazat e lojës, duke e thelluar fitoren në 11 gola diferencë.
Alban Haziri shkëlqeu me 12 gola, ndërsa Felippe Teixeira shtoi nëntë dhe Festim Mustafa realizoi gjashtë. Me pesë gola kontribuoi Adonit Isufi, ndërsa portieri Wadi Chebbi ishte i pakalueshëm në shumë momente.

Te Rahoveci, pavarësisht paraqitjes së mirë të portierëve Arti Luzha dhe Arbër Curri, mungoi efikasiteti. Egzon Gjuka realizoi pesë gola, ndërsa Mali Luzha, Ardit Tafilaj dhe Arbios Mushkolaj shënuan nga katër.
Pas kësaj jave, të dy skuadrat kanë nga katër fitore dhe një humbje, bilanc që e ndanë edhe me Vëllaznimin.

Foto: FHK