Në një kampionat të mbushur me emra të mëdhenj si Harry Kane, Luis Díaz apo Christoph Baumgartner, një emër shqiptar po zë vend të merituar në listën e golashënuesve më të mirë të sezonit në Bundesliga. Bëhet fjalë për Fisnik Asllanin, sulmuesin 23-vjeçar të Hoffenheim, që ka shënuar 5 gola dhe ka dhënë 1 asist në këtë sezon – një statistikë që e vendos në vendin e gjashtë në renditjen e “Top Scorers” në elitën e futbollit gjerman.

DFL regulations prohibit any use of photographs as image sequences and/or quasi-video.
Asllani ka lënë pas krahëve huazimin e suksesshëm te Elversberg dhe është kthyer te Hoffenheim si një lider i ri, me gola vendimtarë dhe paraqitje të qëndrueshme. Ai nuk është më një talent në pritje – është një emër që po i jep formë sezonit të skuadrës së tij dhe që po sfidon yje të klasit botëror.

Për opinionin sportiv shqiptar, kjo është një dëshmi e qartë e potencialit që vazhdon të dalë nga komuniteti shqiptar, veçanërisht në diasporë. Në kohën kur diskutimi rreth përfaqësimit të lojtarëve shqiptarë në kombëtare është gjithnjë i ndezur, emra si Asllani tregojnë se suksesi nuk varet vetëm nga “emri i madh i klubit”, por nga puna, përkushtimi dhe mundësia për të shkëlqyer në çdo nivel.
Në një sezon ku Kane dominon me 12 gola dhe shumë të tjerë luftojnë për kreun, fakti që Asllani mban hapin me lojtarë si Baumgartner, Uzun apo Burkardt, e bën edhe më të vlefshëm këtë arritje.
Fisnik Asllani, qartazi, po bën histori… në heshtje.