Kastrioti nga Ferizaj ka arkëtuar dy pikë të rëndësishme në xhiron e katërt të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkuj), duke e mposhtur Trepçën me rezultat bindës 40:26.
Ndeshja u zhvillua të mërkurën në palestrën “Minatori” të Mitrovicës dhe ishte e vetmja e kësaj jave, për shkak të angazhimit të shumicës së palestrave për zgjedhjet lokale, si dhe për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare.
Pjesa e parë e takimit ishte më e baraspeshuar, por në të dytën Kastrioti u shkëput ndjeshëm dhe kontrolloi plotësisht ritmin e lojës.
Adonit Isufi ishte lojtari më efikas për ferizajasit, me 10 gola të realizuar. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Felipe Teixeira me 6 gola, si dhe Elion Goçi, Festim Mustafa, Besnik Bytyqi dhe Jeton Bislimi me nga katër secili.
Te Trepça u dallua Sali Maxhera me 9 gola, ndërsa Matheus Henrique shënoi 5, e nga tri i realizuan Amar Mujka, Butrint Miftari dhe Ermir Januzi.
Pas kësaj fitoreje, Kastrioti regjistron tri fitore dhe një humbje në kampionat, ndërsa Trepça mbetet me një fitore dhe tri humbje pas katër xhirove të para.