Nisin ethet e basketbollit në Kosovë – përplasje të mëdhenjsh që në javën e parë

Superliga Basketboll

Superliga e Kosovës në basketboll starton këtë fundjavë me duele të zjarrta që pritet të ndezin parketet. Të shtunën, në Suharekë, Ylli si pretendues pret ekipin më të trofeshëm në vend, Prishtinën, që vjen e motivuar pas suksesit në ndeshjen e parë ndërkombëtare në ENBL Ligë.

Të dielën, gara vazhdon me sfidën mes Borës dhe Rahovecit, një duel për të matur forcën e dy skuadrave për të parë se ku ndodhen. Ndërkohë, Vëllaznimi, me shumë afrime në merkato, do të luajë ndaj Bashkimit në Prizren. Prizrenasit shihen si ndër favoritët kryesorë, sidomos pas paraqitjes së shkëlqyer në FIBA Europa Cup kundër Anwilit polak në ndeshjen e parë – ndërsa edhe pse pësuan humbje në Poloni, rregullat e garës i kualifikuan në fazën e grupeve bashkë me Trepçën.

Në anën tjetër, Trepça nisi sezonin me zhgënjim, duke u eliminuar papritur në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Derbi i parë ndaj Pejës në “Minatori” do të tregojë sa ndikim ka pasur ky eliminim tek kampionët.

Pretendentët kryesorë për titull mbeten Trepça dhe Bashkimi, por në listën e rivalëve seriozë për t’i ndalur janë edhe Peja, Prishtina dhe Ylli. Ndërkohë, Vëllaznimi, Rahoveci dhe Bora synojnë të befasojnë. Në letër balancat janë të qarta, por parketi mund të tregojë krejtësisht një histori tjetër.

Çiftet e Javës 1 në ProCredit Superligën e Kosovës në basketboll

  • Golden Eagle Ylli – Sigal Prishtina
    E shtunë, ora 19:00 – Suharekë

  • Bora – Rahoveci 029
    E diel, ora 17:00 – Therandë

  • Trepça – Peja
    E diel, ora 19:00 – Mitrovicë

  • Vëllaznimi – Bashkimi
    E diel, ora 17:00 – Gjakovë