Superliga e basketbollit në Kosovë vazhdon këtë fundjavë me xhiron e dytë, e cila premton duele interesante.
Në qendër të vëmendjes është derbi i së dielës ndërmjet dy skuadrave verdhezi, GO+ Peja dhe Golden Eagle Ylli. Pejanët e nisën sezonin me një fitore të madhe në udhëtim ndaj Trepçës, ndërsa therandasit u mposhtën në shtëpi nga Sigal Prishtina. Ndeshja do të zhvillohet në Therandë, për shkak se palestra në Pejë është e angazhuar për numërimin e votave pas zgjedhjeve lokale.
Një tjetër përballje interesante të dielën do të jetë ajo mes Bashkimit dhe skuadrës debutuese Rahoveci 029. Të dyja ekipet shënuan fitore në javën e parë: prizrenasit ndaj Vëllaznimit, ndërsa Rahoveci ndaj Borës. Dueli pritet të jetë i ashpër, pasi të dyja skuadrat synojnë ta vazhdojnë serinë pozitive.
Në të njëjtën ditë, në palestrën „Minatori“ në Mitrovicë, Vëllaznimi do të përballet me Trepçën. Të dy ekipet janë në kërkim të fitores së parë në këtë edicion, pas humbjeve që pësuan në hapje të kampionatit.
Java e dytë do të mbyllet të hënën me përballjen mes dy skuadrave nga Prishtina: Sigal Prishtina dhe Bora. Edhe sezonin e kaluar, sfidat mes tyre ofruan emocione dhe rivalitet, prandaj pritet që edhe këtë herë dueli në kryeqytet të jetë i nivelit të lartë.
Orari i ndeshjeve – Java 2 (ProCredit Superliga)
E diel
-
16:00 | GO+ Peja – Golden Eagle Ylli (në Therandë)
-
19:00 | Bashkimi – Rahoveci 029
-
19:00 | Vëllaznimi – Trepça (në Mitrovicë)
E hënë
-
19:00 | Sigal Prishtina – Bora (në Prishtinë)