Vazhdojnë punimet për stadiumin historik të Hogoshtit – rikthehet simboli i futbollit nga skaji lindor i vendit

Kika Hogosht, stadiumi

Hogoshti, një emër që për shumëkënd është më shumë se një fshat në komunën e Kamenicës, pritet t’i rikthehet lavdisë sportive. Punimet për ndërtimin e stadiumit të ri të KF Kika po ecin me ritëm, duke afruar gjithnjë e më shumë realizimin e një ëndrre të gjatë për banorët dhe sportdashësit e zonës.

Kika - Prishtina 1995
Kika – Prishtina 1996

Para çlirimit, KF Kika – dikur e njohur si „Kitka“ – ishte një nga emrat më të spikatur të futbollit kosovar. Ekipi nga kjo anë e largët lindore e Kosovës dy herë u shpall nënkampion i vendit, ndërsa ndeshjet në fushën e tyre të improvizuar tërhiqnin mijëra tifozë, pavarësisht kushteve dhe sfidave të kohës.

Një prej ndeshjeve më të famshme dhe më dramatike të historisë së saj ishte ajo kundër Prishtinës, në vjeshtën e vitit 1996 – një përballje që ende kujtohet për intensitetin dhe atmosferën e saj.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë së fundmi pamje nga punimet në vazhdim, duke konfirmuar përkushtimin për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm:

“Vazhdojnë punimet në ndërtimin e stadiumit historik të KF Kika në Hogosht, Kamenicë. Ky investim i rëndësishëm sportiv po ecën me ritme të shpejta dhe është drejt finalizimit të fazës së parë të punimeve.
Stadiumi i ri do t’i ofrojë komunës së Kamenicës një hapësirë moderne për zhvillimin e sportit dhe aktiviteteve, duke krijuar kushte më të mira për të rinjtë dhe sportistët e vendit.
Me vendosmëri po e jetësojmë planin pesëvjeçar për konsolidimin e infrastrukturës së futbollit.”

Me përfundimin e këtij projekti, Hogoshti pritet të rikthehet në hartën e rëndësishme të futbollit vendor, duke i dhënë një shtysë të re sportit në këtë rajon me traditë të pasur.

Kika Hogosht, stadiumi
Kika Hogosht, stadiumi