Pas largimit të Arsim Abazit, klubi i Ferizajt ka bërë zyrtarizimin e trajnerit të ri. Kryetari i klubit Lulzim Abazi dhe drejtori sportiv Genc Hyseni prezantuan sot ish-mbrojtësin e njohur të Kombëtares shqiptare, Nevil Dede, i cili nga sot merr drejtimin e skuadrës bardhekaltër.
Ferizaj kishte kontaktuar me disa emra të ndryshëm, e disa të njohur, por në fund marrëveshja u arrit me Deden, që sjell me vete një eksperiencë të gjatë si lojtar dhe trajner.
Karriera si futbollist
Nevil Dede është rritur dhe afirmuar te KF Tirana, ku ka dhënë kontribut të madh si mbrojtës, duke fituar disa trofe dhe duke u bërë një nga figurat kryesore të klubit. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e Kombëtares shqiptare, ku ka përfaqësuar ngjyrat kuqezi në arenën ndërkombëtare.
Karriera si trajner
Pas mbylljes së karrierës si lojtar, Dede kaloi në stolin e trajnerit, duke drejtuar klube të njohura shqiptare si: KF Tirana, KF Laçi, KS Luftëtari, KS Kastrioti, KF Erzeni, FK Dinamo, AF Elbasani dhe FK Bylis. Përveç klubeve, ai ka drejtuar edhe Kombëtaren U19 të Shqipërisë, duke sjellë eksperiencë të vlefshme në punën me lojtarë të rinj.