Sllovenina, sfida vendimtare përpara udhëtimit të vështirë drejt Suedisë

Ullevi Stadium

Kombëtarja e Kosovës në futboll përballet sot me Slloveninë, në një nga ndeshjet më të rëndësishme të kësaj faze. Një fitore eventuale ndaj sllovenëve do t’i jepte krahë „Dardanëve“, duke rritur ndjeshëm gjasat për sukses në vazhdim.

Por vëmendja tashmë fillon të spostohet edhe drejt sfidës tjetër, atë të së hënës, ku Kosova do të udhëtojë drejt qytetit suedez Gothenburg për t’u përballur me Suedinë. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin legjendar “Ullevi”, ndërsa Suedia do të presë Zvicrën këtë mbrëmje në “Friends Arena” të Stokholmit, para se të presë Kosovën tre ditë më vonë.

Dardanët
Dardanët

Gothenburg ndodhet në pjesën perëndimore të Suedisë, dhe përfaqëson një destinacion sfidues për udhëtim – qoftë me avion apo me makinë – pasi distanca nga Prishtina arrin afërsisht 3.000 kilometra. Megjithatë, përkrahja për Kombëtaren nuk do të mungojë. Një grup tifozësh „Dardanë“, të organizuar përmes linjave të ndryshme ajrore, pritet të udhëtojë drejt Suedisë për të mbështetur skuadrën në këtë ndeshje të rëndësishme. Gjithashtu, gazetarë nga Prishtina do të jenë të pranishëm për të ndjekur nga afër përballjen.

Pritet që edhe bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Suedi të jenë prezent në tribunat e „Ullevit“, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë për lojtarët tanë, pavarësisht sfidave të udhëtimit dhe distancës së madhe nga Kosova.