Në udhëtimin për ndeshjen Serbi–Shqipëri më 14 tetor 2014, ishin 23 lojtarë në skuadër. Vetëm njëri prej tyre e kishte parë ferrin me sytë e tij – ferrin e atyre që tani i shkonin në… konak!
Më 10 nëntor të atij viti, ishte paralajmëruar vizita e parë e ndonjë kryeministri shqiptar në Beograd, pas gati 70 vitesh. Në Serbi kishin fituar forcat „përparimtare“. Vuçiç, i cili në fillim të vitit ishte emëruar kryeministër, po përpiqej t’i tregonte Evropës se kishte ndryshuar – se nuk ishte më ultra-nacionalisti ekstrem që urrente shqiptarët, boshnjakët e kroatët.
Në këtë frymë udhëtoi edhe i gjithë ekipi, bashkë me rreth 150 persona të tjerë – anëtarë të delegacionit, njerëz të afërt me FSHF-në, gazetarë e të tjerë. Ishte krijuar përshtypja se po shkonin në… dasmë!

DEBATIK – Djemtë e Bashkuar Anëtarë të Idealeve
Debatik Curri, si një fëmijë i ri që nuk i kishte mbushur ende 16 vjeç, i lindur e rritur në fshatin Llugë të Llapit, kishte përjetuar golgotën e vërtetë gjatë bombardimeve të NATO-s. Pa ushqim, pa mbathje e pa veshje të duhura, me familjen e tij kishte përshkuar kilometra të tërë në ikje nga ushtria, policia dhe paramilitarët serbë në vitin 1999. Kishte shkelur gjysmën e Llapit dhe gjysmën tjetër të Gollakut, për t’iu shmangur forcave që po prisnin e copëtonin çdo kokë, sidomos të meshkujve shqiptarë.
Debatiku kishte edhe një rrëfim interesant. Si shumë familje kosovare para viteve ’80 që adhuronin Shqipërinë dhe gjithçka që vinte prej andej, edhe atij i ishte vënë emri DEBATIK – Djemtë e Bashkuar Anëtarë të Idealeve Komuniste. Emri vinte nga një film shqiptar i vitit 1961 me tematikë komuniste, që tregonte historinë e disa fëmijëve gjatë Luftës së Dytë Botërore që kishin krijuar një organizatë guerilase dhe e kishin quajtur “Debatik”. Film shumë i njohur në atë kohë, një propagandë që shqiptarët e Kosovës e përpinë nga dashuria për mëmëdheun – Shqipërinë.
Në udhëtim ishin edhe lojtarë të tjerë nga Kosova, por që nuk kishin lindur apo nuk e kishin përjetuar luftën në Kosovë, si Lorik Cana; ndërsa Etrit Berisha ishte më i ri në moshë, i lindur në vitin 1989. Mavraj, Kukeli, Xhaka dhe Abrashi ishin rritur në shtete perëndimore – kishin dëgjuar rrëfime, por nuk kishin përjetuar atë që kishte kaluar Debatiku.
Në rrëfimin e tij pas ndeshjes, Debatiku ishte çuditur nga atmosfera jashtëzakonisht pozitive në skuadër. Ai e kishte përsëritur disa herë: “Nuk i njihni serbët ju!” Kishte pranuar se kishte pasur shumë frikë nga udhëtimi, nga ndeshja dhe nga gjithë ngjarja në tërësi. Nuk kishin ndihmuar as sekuencat nga lufta e UÇK-së dhe pamjet e viktimave të krimeve serbe, që trajneri De Biazi i kishte shfaqur për të motivuar skuadrën. Në fakt, ekipi dukej se nuk po trembej fare – udhëtimi kishte marrë efektin e një “dasme”.
Curri tregonte se, pas ngjarjeve – sidomos para shfaqjes së dronit – shumica e futbollistëve filluan të ndjenin frikë dhe pasiguri për gjithçka po ndodhte: nga tribunat, nga hedhja e sendeve, sharjet, ulërimat, tentimi për të kaluar parmakët ndarës mes tribunave dhe fushës.
“Kur ndodhi droni, hyrja e tifozëve në fushë, kacafytja me ta… ne pamë vdekjen me sy“, deklaronte Curri.
Skena e largimit në tunelin (nën tribunën juglindore, aty ku qëndrojnë tifozët e Partizanit – ‘Grobari’), për pak sa nuk u shndërrua në kurth. Ishim të rrethuar nga tifozë të dehur, të droguar, që gjuanin me gjithçka kishin në dorë – me mjete të forta, rripa – dhe që në një moment pothuajse bllokuan edhe daljen e tunelit. Futbollistët tanë, që po vraponin për t’iu shmangur dhunës, pengonin njëri-tjetrin, ndërsa tifozët i godisnin nga afër – me grushte, shkelma e ç’të mundnin.
Xhaka, që nuk ishte ngutur të vraponte, kishte shpëtuar më mirë se të tjerët. Por vetëm ai dhe mendja e tij e dinë se nga i erdhi ai guxim e gjakftohtësi për të qëndruar vetëm në fushë, duke debatuar me futbollistët serbë. Pas përplasjes së parë për shkak të dronit, disa prej tyre u sollën me një lloj nderimi minimal, qëndruan afër lojtarëve tanë – sidomos afër Xhakës, i cili kishte mbetur pothuajse krejtësisht i vetëm.
Tërbimi nuk përfundoi me kaq. Forcat policore “përparimtare” të Vuçiçit treguan fytyrën e vërtetë në dhomat e zhveshjes, ku kontrolluan çdo imtësi në veshjet e futbollistëve – sikur ata ta kishin drejtuar dronin nga fusha!
Ishte hera e parë që opinioni “dashamirës” në Shqipëri – me sy, nga afër, me mbi 100 anëtarë nga Shqipëria, gazetarë e politikanë – pa se kush janë vërtet serbët!
Por ekipi, djemt tanë në fushë atë natë na kishte bërë aq krenar, sa edhe tani, kur po shkruajmë kujtimet e para 15 viteve, mishi na rrënqethet – kokërr më kokërr!

(Vazhdon në pjesën e gjashtë – Mbërritja e Plisave në Beograd…)









