Shqipëria mposht Jordaninë me përmbysje dhe dominim në pjesën e dytë

Shqipëri - Jordani 4-1

Kombëtarja shqiptare ka regjistruar një fitore bindëse me rezultat 4-1 ndaj Jordanisë në ndeshjen miqësore të zhvilluar të mërkurën mbrëma në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Ndeshja nisi me epërsi të miqve, të cilët kaluan në avantazh në minutën e 21-të përmes Nizar Al Rashdan. Kuqezinjtë reaguan në minutën e 40-të, kur një depërtim i Nedim Bajramit nga e majta përfundoi me autogol të Mo Abualnadit, pas devijimit të pasimit në zonë.

 

Pjesa e dytë solli një Shqipëri më të organizuar dhe më kërkuese. Armand Broja, i futur në lojë në minutën e 61-të në vend të Mirlind Dakut, shënoi vetëm katër minuta më vonë, duke përmbysur rezultatin në 2-1 pas një aksioni të ndërtuar nga Kristjan Asllani.

Epërsia u thellua në minutën e 75-të kur Arber Hoxha realizoi një gol spektakolar – një “eurogol” me golin e tij të parë me fanellën kuqezi – për rezultatin 3-1.

Katër minuta më vonë, Broja u kthye në protagonist, kësaj here si asistues. Ai depërtoi nga e djathta dhe asistoi bukur për Nedim Bajramin, i cili shënoi saktë në këndin e ulët të djathtë për rezultatin përfundimtar 4-1.

Ndeshja shënoi edhe një moment historik për Elseid Hysajn, i cili me inkuadrimin në këtë takim arriti kuotën e 94 paraqitjeve me Shqipërinë, duke kaluar Lorik Canën dhe u bë lojtari me më së shumti ndeshje me Kombëtaren.

Gjithashtu, në pjesën e dytë debutuan dy lojtarë të tjerë: Nazmi Gripshi, ish-lojtar i Ballkanit, dhe Coke nga Shkëndija e Tetovës.

Kjo fitore përmbyll me sukses një test miqësor, ku trajneri Sylvinho pati mundësi të eksperimentojë me përbërje të ndryshme dhe t’i japë minuta lojtarëve të rinj dhe atyre me më pak aktivizim në ndeshjet zyrtare.