Pas barazimit në Prishtinë, sllovenët nuk e fshehën zhgënjimin. Selektori Matjazh Kek u shpreh i kënaqur me lojën, por i hidhëruar për rastet e humbura, shkruan Delo e Ljublanës, përcjellë Kërlaçki.
Një pikë në vend të tri, që Sllovenia e kishte merituar me lojën e treguar në Prishtinë, është pak, por jo e pamjaftueshme. Llogaritë për vendin e dytë në grup dhe për një biletë shtesë përmes “play-off”-it janë ende të hapura, por pikët ndaj Zvicrës do të ishin shumë të vlefshme. Trajneri Matjazh Kek ishte i kënaqur me paraqitjen, por jo me rezultatin. “Në kualifikimet për Kampionatin Evropian kemi fituar edhe ndeshje me më pak raste. Këtë herë, topi thjesht nuk donte të hynte në rrjetë,” u shpreh Vanja Drkushiç, duke ndarë zhgënjimin me trajnerin – shkruan Delo.
“Koka do t’i dhembë gjatë për këto dy pikë të humbura në Prishtinë”
“Pati shumë elemente të reja në lojën tonë. I kishim ushtruar dhe në fund, edhe 15 minuta stërvitje të përqendruar të japin përgjigje. Shtabi teknik bëri një punë të shkëlqyer – analizuan se mund t’i befasonim me pozicionimin e lartë në krahë. Pastaj mbeti vetëm pyetja: kush përputhej më mirë me idetë taktike”, shpjegoi trajneri Kek arsyetimin për formacionin e përzier.
Pas disa minutash me pasime të pasigurta, loja mori ritëm. “Minutë pas minute ishim më të mirë. I lexuam mirë. Nuk donim të përsërisnim gabimet e Suedisë, që mori dy gola nga kundërsulmet në pjesën e parë. Ka kohë që Sllovenia nuk ka dominuar ndonjë kundërshtar në këtë mënyrë. Në pjesën e dytë, me pasime më të qeta dhe ritëm më të lartë, krijuam shumë raste”, ka theksuar Kek, i kënaqur me reagimin e skuadrës.
Reagim pas debaklit në Basel
Golat munguan – në 11 ndeshjet e fundit, Sllovenia ka shënuar vetëm nëntë herë dhe në dy të fundit nuk ka realizuar fare. “Të gjithë javën u përgatitëm me tre mbrojtës, megjithatë, për ne ishte diçka e re. Gjatë kësaj rruge drejt Euro-s kemi fituar ndeshje me më pak raste, por këtë herë nuk patëm fat. Kosova ishte më e tërhequr se sa prisnim, e menaxhuam mirë, por topi nuk donte të hynte”, tha sërish Drkushiç. “Treguam mentalitetin e duhur të kësaj skuadre. Reaguam mirë pas asaj që mund të quhet një debakël në Basel. Edhe mbështetja ndaj Sheshkos në fund të ndeshjes tregon se çfarë grupi jemi. Ndoshta kundër Zvicrës ai do të shënojë tre gola dhe do ta vendosë ndeshjen,” u shpreh mbrojtësi që luajti një tjetër ndeshje solide, duke besuar se ylli i skuadrës do të shpërthejë sërish.
Ndeshja ndaj Zvicrës do të jetë ndryshe – një kundërshtar shumë më cilësor, në formë të lartë, por Sllovenët do të kenë në krah edhe stadiumin e mbushur të Stozhicës. “Duhej të ndryshonim diçka në lojën tonë. Kohët e fundit kemi pranuar shumë gola dhe po kërkonim mënyra për të shfrytëzuar më mirë cilësinë tonë. Sot bëmë shumë gjëra mirë, krijuam për të shënuar, por diçka mungoi. Ndoshta më mungoi pak egërsia në zonën kundërshtare”, apeloi Kek për më shumë vendosmëri nga sulmuesit e tij.
Motiv shtesë për Sheshkon
Sllovenët u kthyen në shtëpi disa minuta pas orës dy të mëngjesit. Pas fluturimit natën për në Lubjanë, dita e shtunë u dedikua për rikuperim. Analizat dhe përgatitjet për Zvicrën nisën që në aeroportin e Prishtinës – për ta nata nuk ishte e qetë. “Le të ndryshojë fati kundër Zvicrës dhe le të shkojë topi në rrjetë. Atëherë do të kemi tri pikët”, u dëgjuan edhe nota optimiste para fluturimit.
Benjamin Sheshko, që shpesh ka qenë heroi i Sllovenisë, kësaj radhe e fshehu zhgënjimin nën fanellë, teksa shokët e skuadrës u përpoqën ta ngushëllonin. Pa dyshim, në Stozhice ai do të ketë edhe më shumë motiv për ta mbyllur ndeshjen me një kërcim fitimtar pas një goli. “Sigurisht që po mendojmë për një ‘hakmarrje’. Sa herë humbet në këtë mënyrë, dëshiron të rikthehesh fuqishëm”, premtuan sllovenët se kapitujt e ardhshëm të kualifikimeve do të jenë më të suksesshëm – ka shkruar DELO.