Pjesa 6 – 14 tetor 2014: Serbi – Shqipëri: Udhëtimi, mbërritja e Plisave në Beograd në mes të turmave!

Stikersat e Plisave në Beograd

Udhëtimi i tre Plisave në Beograd. 14 tetor, 2014. Dita e ndeshjes.

Vazhdon nga pjesa e pestë

Rruga e autostradës ish-“Bashkim-Vëllazërimi” nuk ishte aq komode. Udhëtimi i gjatë, rreth 400 kilometra dhe 4 orë rrugë. Sa më shumë që udhëtimi afrohej drejt Serbisë qendrore, aq më shumë kishte makina të tjera me tifozë serbë, të cilët provokonin herë pas here. Do. nuk qetësohej. Edhe pse udhëtimin e udhëhiqte De., si më i vjetri në makinë me pesë persona në të, tensionin në makinë e mbante Do. Ndërsa M. gjithmonë i pandarë pranë tij, me qetësinë e tij karakteristike.

Gjatë rrugës, kishte konflikte verbale midis Do. dhe V., derisa ky i fundit e kuptoi që nuk kishte shaka me këtë grup udhëtarësh. Ai vendosi të heshtte dhe ta shmangte Do. maksimalisht sa ishte e mundur…deri në Beograd. Thjesht, në këtë udhëtim ishte i panatyrshëm – dhe ndoshta nuk i ishte faji i tij. Ai e njihte Beogradin në kohë normale, por jo gjatë një ndeshjeje ku takoheshin, as më pak e as më shumë, sesa Serbi – Shqipëri!

Shoku i mbërritjes në Beograd!

Edhe pse me më shumë përvojë si tifozë, u mungonte përvoja e udhëtimeve, sidomos e këtij lloji – në qendër të një shteti që urren shqiptarët. Për herë të parë. Midis turmave ultra-nacional-shoviniste!

Tentimi për të parkuar makinën dhe për të kërkuar ndihmë nga disa serbë ishte shokues. Pas përgjigjes së tyre se „nëse nuk gjeni vend këtu, do ta keni të vështirë ta gjeni diku tjetër, sepse është dita e ndeshjes“, pyetja pasuese ishte: „Jeni shqiptarë ju?“ – Sikur ta kishin të shkruar në ballë!

Në fakt, tre nga pesë udhëtarët dinin mirë serbisht. Por dy prej tyre, pa asnjë lidhje me tifozerinë – dy preshevarët – më në fund e kuptuan sa ishte ora.

Acarimi i Do. kishte arritur kulmin. Donte me patjetër të gjente biletë. De. ishte ai që po ruante ende qetësinë e grupit. M., i qetë maksimalisht, pranë Do. gjatë gjithë kohës.

Menjëherë, rrugë pas rruge, rrugicë pas rrugice – përballja me grupe-grupe kortezhesh serbe. Të pirë, të droguar. Me flamuj. Me dukje të caktuar grupesh. Duke sharë e fyer shqiptarët. Grupi pesëanëtarësh po binte vazhdimisht në sy. Tifozët serbë, që endeshin në ato pak orë para ndeshjes, po e shikonin me habi grupin që sapo kishte mbërritur në Beograd. Ose si një grup tjetër tifozësh vendas, por njësoj si ta dukej që nuk ishin.

Nga acarimi, shpesh kishte situata gati për dalje nga kontrolli – ngritje zëri në shqip, porosi në grill për ushqim… Grupi vazhdimisht në buzë të zbulimit – të një grupi të panatyrshëm, në mesin e qindra-mijëra tifozëve serbë. Grupi më nuk po lëvizte si grup, e natyrshme, rrethanat me çka ishin të rrethuara ishin të jashtëzakonshme dhe të paimagjinueshme.

Tre Plisat, në mesin e mijëra tifozëve që i urrenin. Me dy shqiptarë të tjerë që nuk e kishin idenë se ku ndodheshin. Ishin të shokuar nga ato pamje – që s’u kishin ndodhur kurrë, edhe pse kishin qenë më herët në Beograd.

Ndryshim situate

Derisa dy nga grupi po ushqeheshin jashtë një lokali ku ishin shërbyer dhe serbët po i shihnin secilën herë e më me çudi – shpesh ndoshta nën zë, duke dyshuar – ia behën dy vajza të reja vendase nga Beogradi!

Ishin shoqe të V. I kishte lutur t’i ndihmonin me bileta dhe të takoheshin. Ishin dy vajza me bindje liberale, që mbanin kontakte me shoqata të rinjsh nga Presheva, por kishin lidhje edhe me të rinj nga Shqipëria dhe Kosova. Njëra prej tyre kishte emër në qarqet kulturore të Beogradit. Armiq kishte grupet radikale të djathta – shumë prej tyre, vetë tifozë serbë. E njihte turma!

Me ardhjen e vajzave serbe, grupi nuk ishte më aq i cenuar. Edhe pse Do. binte në sy nga tifozët vendas – ndoshta për shkak të veshjes më unike tifozerike, që kishte përzgjedh atë natë – një grup prej pesë vetash me dy serbe, që tani komunikonin në gjuhën serbe, dukej më pak i dyshimtë. Dyshimet ishin më të largëta se më parë.

Vajzat provuan të gjenin bileta. U ndanë disa herë. U afruan deri te stadiumi. Bënë maksimumin, duke u endur me taksi në afërsi të ish-APJ. Konstatimi i tyre ishte se, përveç mungesës së biletave, stadiumi ishte i rrethuar nga tri unaza sigurie dhe i afrohej me shumë vështirësi. Kishin parë grupet e caktuara që ato i urrenin ndoshta më shumë se shqiptarët. Ishte shumë e rrezikshme – ose nga policia, ose nga masa e madhe e tifozëve serbë që po vërshonin nga e gjithë Serbia dhe Beogradi dy milionësh!

Do. nuk e pranonte arsyetimin se s’kishte ç’të bëhej më me këtë ndeshje. Por De., ishte më i ftohtë në gjykim. E bindi grupin që ngadalë të tërhiqeshin nga perimetri i stadiumit dhe ta ndiqnin ndeshjen nga ndonjë lokal – gjë që nuk ishte ndonjë zgjidhje aq mençur. U vendos që ndeshja të ndiqej në banesën e njërës prej vajzave – mbi 45 minuta ecje – nëpër lagje të errëta, me shumë grafite nacionaliste e tifozërike.

Ndërkoh përgjatë krejt ecjes, Do. vendoste stikerë – te Parku i Pionierëve, te lagjja kult e Beogradit „Vraçar“, te Kisha e famshme e „Sveti Savës“, parkun e Karagjorgjes e deri afër „Autokomandës“ – rrethit të njohur që ndan Beogradin me autostradën “Vëllaznim-Bashkim”, afër stadiumeve, rreth 1 km larg nga ish-APJ dhe “Marakana”. Kishin kaluar „Autokomandën“ ku bënte pjesa më e rrezikshme ku rrugët çonin drejt stadiumit të Partizanit. Mbase 300, 200 metra në afërsi…Më tej, pa bileta, me turma të mëdha tifozësh serbë që shkonin në ndeshje, të insistoje të afroheshe – ishte vetëvrasje!

LEXOJE MARKSIN

Një grafit në murin e lagjes beogradase ku jetonte njëra prej vajzave. Në shqip shkruante: LEXONI MARKSIN!

Pas furnizimit me pije nga V. me shoqen e saj, grupi filloi të çlodhej. Megjithëse banesa u kontrollu hollësisht nga Do. – askujt nuk i besohej. U gjet një thikë e madhe, një “duq” parash, mariuhanë e pakët dhe çuditërisht, një gotë me flamur shqiptar: “I LOVE ALBANIA”.

Në një atmosferë që po qetësohej ngadalë, ndeshja po fillonte. Por, Do. vazhdonte të ishte i dyshimtë ndaj çdo lëvizjeje të vajzave dhe çdo veprim i V. e nervozonte tej mase deri sa në një moment gati pati edhe përplasje fizike!

Me të filluar ndeshja e deri në momentin e ndërprerjes, grupi po sillej sikur ishte në shtëpi – në Prishtinë. Pa u shqetësuar aspak se mund të dëgjoheshin nga fqinjët. Deri në momentin kur u ndërpre ndeshja. Deri në minutën e 41 dhe 11 sekonda.

Grupi mbeti i shokuar nga ajo që po shihte në ekran. Ishin aq afër ngjarjes – por pa e ditur çfarë po ndodhte realisht. Të shokuar plotësisht. Tani edhe “miqësia” me vajzat serbe, pas asaj pamjeje – thuajse u ftoh. Për një moment. Si me shpatë.

Vazhdon me pjesën e shtatë…

Pjesa 5 – 14 tetor 2014: Serbi–Shqipëri: DEBATIK – Djemtë e Bashkuar Anëtarë të Idealeve Komuniste