Fitorja historike e Shqipërisë ndaj Serbisë ka ngjallur reagime të shumta, përfshirë edhe nga vajza e trajnerit Sylvinho, Tati Mendes. Kuqezinjtë triumfuan 1-0 në Leskovac falë golit të Rei Manajt, i cili i dha skuadrës tre pikë të arta në garën për Botërorin 2026.
Ndërkohë që shumica e tifozëve kanë lavdëruar Manajn si heroin e mbrëmjes, vajza e trajnerit ka zgjedhur të veçojë një tjetër futbollist: portierin Thomas Strakosha.
Në një reagim në rrjetet sociale, Tati Mendes ka ndarë një mesazh të shkurtër, duke shkruar: “Ky portier meriton një çmim”, duke shprehur vlerësimin e saj për performancën e jashtëzakonshme të gardianit kuqezi.
Strakosha ishte një nga protagonistët kryesorë të fitores, me pritje të sigurta dhe dalje vendimtare që e mbajtën portën shqiptare të paprekur gjatë gjithë ndeshjes.

Ndeshja ndaj Serbisë u karakterizua nga intensitet i lartë dhe tension i madh, por skuadra e Sylvinhos tregoi pjekuri, disiplinë dhe karakter të fortë në një mbrëmje që do të mbetet gjatë në kujtesën e futbollit shqiptar.
Reagimi i vajzës së trajnerit është pritur pozitivisht nga tifozët, të cilët kanë vlerësuar mënyrën se si edhe familja e Sylvinhos e përjeton emocionin e Kombëtares.
Fitorja në Leskovac e mban Shqipërinë në garë të plotë për kualifikim dhe forcon edhe më shumë besimin se skuadra e Sylvinhos po rritet në çdo ndeshje.