Samadrexha mposht Ulpianë, Ferizaj më e mirë se Prishtina

KHF Samadrexha

Samadrexha ka regjistruar fitoren e dytë radhazi në Superligën e Kosovës për hendbolliste, duke mposhtur Ulpianën me rezultat bindës 38:25, në ndeshjen hapëse të javës së tretë të kampionatit. Takimi u zhvillua të premten mbrëma në palestrën “Afrim Bunjaku” në Samadrexhë.

Në këtë përballje u dalluan motrat Elisa dhe Arona Krasniqi, që udhëhoqën Samadrexhën drejt suksesit me paraqitje të jashtëzakonshme. Elisa Krasniqi realizoi 11 gola, ndërsa Arona Krasniqi i kontribuoi ekipit me 10 gola. Me paraqitje të mirë u shqua edhe Erza Tafilaj, e cila shtoi nëntë gola në këtë fitore.

Përkundër humbjes, tek Ulpiana spikati Bintou Oulare, që realizoi 17 nga 25 golat e skuadrës, ndërsa Erza Canaj shënoi 3 gola dhe Flaka Hoti 2.

Ferizaj mposht Prishtinën me një gol dallim në derbin e Superligës

Një nga përballjet më të forta të javës në Superligën e Kosovës në hendboll për femra u zhvillua të shtunën në Shtime, ku Ferizaj e mposhti Prishtinën me rezultat të ngushtë 33:32.

Ndeshja i takoi xhiros së tretë të kampionatit dhe u karakterizua me rivalitet të madh deri në sekondat e fundit. Ferizaj e nisi më mirë sfidën, duke krijuar epërsi 5:1 dhe e mbajti avantazhin deri në fund të pjesës së parë.

Prishtina nuk u dorëzua dhe arriti të barazojë rezultatin në minutën e 37-të (19:19) dhe më pas në 38:20 (20:20). Barazimi vijoi edhe në shifrat 26:26, 27:27 dhe 28:28, duke e mbajtur tensionin të lartë.

Në fund, vendimtare rezultuan golat e Sevdanur Ozkan dhe Agnesa Hysa për epërsinë 30:28, të ndjekur nga Shkurte Mehmeti dhe një tjetër gol i Ozkan për 32:29. Prishtina reagoi me gola të Lubereckës dhe Ramës, duke ngushtuar në 33:32. Në sekondat e fundit, Prishtina pati mundësinë për ta barazuar, por goditja përfundoi në shtyllë.

Ylli i ndeshjes ishte Sevdanur Ozkan, që realizoi plot 17 gola për Ferizajn. Pesë gola shtoi Shkurte Mehmeti dhe katër Agnesa Hysa. Te Prishtina u dallua Burneta Rama me 11 gola, Celine Tolno Sia me 10, Eduarta Kurteshi me pesë dhe Angelika Luberecka me katër.

Ferizaj regjistroi fitoren e tretë radhazi dhe kryeson tabelën me gjashtë pikë, ndërsa Prishtina mbetet ende pa pikë.

KHF Ferizaj - KHF Prishtina
KHF Ferizaj – KHF Prishtina

Fitore bindëse e Shqiponjës ndaj Kastriotit

Në takimin tjetër të zhvilluar të shtunën, Shqiponja e Gjakovës shënoi fitore të thellë ndaj Kastriotit me rezultat 51:28.

Alma Nivokazi udhëhoqi listën e golashënueseve me 13 gola, ndërsa Ana Caroli Gonçalves shtoi 11 dhe Helen Da Silva Souza nëntë. Te Kastrioti u dallua Nikelina Franca me 10 gola, ndërsa Verona Muhaxheri dhe Eliona Maksuti shënuan nga gjashtë.

Shqiponja ka dy fitore nga dy ndeshje, ndërsa Kastrioti mbetet me dy humbje.

Xhiroja përmbyllet të hënën me derbin mes Istogut dhe Besës, që zhvillohet nga ora 19:00 në palestrën “Dresha” në Banjë.