Norvegjia dhe Italia kanë shënuar fitore bindëse në ndeshjet e fundit të Grupit J në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, duke thelluar garën për dy vendet e para që sigurojnë kualifikimin direkt.
Norvegjia, e udhëhequr nga sulmuesi Erling Haaland, shkatërroi Izraelin me rezultat 5:0, duke regjistruar fitoren e gjashtë në këtë cikël dhe të nëntën radhazi në ndeshje ndërkombëtare – një rekord absolut për këtë kombëtare. Haaland shënoi “hat-trick”, ndërsa dy autogola nga izraelitët e ndihmuan Norvegjinë të mbetet në krye të grupit me formë të jashtëzakonshme dhe vetëbesim në rritje.

Në anën tjetër, Italia nën drejtimin e trajnerit Gennaro Gattuso, regjistroi një fitore të rëndësishme 3:1 në transfertë ndaj Estonisë. Moise Kean shënoi herët, por më pas u detyrua të largohej i lënduar. Mateo Retegui dhe Francesco Pio Esposito vulosën fitoren, duke mbajtur Italinë në vendin e dytë, vetëm gjashtë pikë prapa Norvegjisë – por me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Kombëtarja “azzurre” ka rigjetur freskinë në sulm dhe stabilitetin taktik me Gattuson, duke shënuar 12 gola në tri ndeshjet e fundit. Norvegjezët, ndërkohë, janë shndërruar në një makineri rezultatesh me Haalandin si lider absolut.
Grupi J po shndërrohet në një duel të fortë mes dy skuadrave – me Norvegjinë që mban momentalisht epërsinë, por me Italinë që ka gjithçka në dorë për të përmbysur renditjen, sidomos përballë kundërshtarëve direktë si Izraeli dhe vetë Norvegjia në ndeshjet vendimtare që pritet të vendosin gjithçka.
Tabela aktuale e Grupit J:
-
Norvegjia – 18 pikë (6 ndeshje)
-
Italia – 12 pikë (6 ndeshje)
-
Izraeli – 9 pikë (6 ndeshje)
Italia do të presë Izraelin në sfidën e radhës, ndërsa Norvegjia synon të ruajë ritmin perfekt deri në fund. Lufta për vendin e parë mbetet e hapur, por një gjë është e sigurt: Norvegjia dhe Italia po tregojnë se janë skuadrat më të forta të grupit dhe kandidatët kryesorë për të shkuar në Botërorin e ardhshëm.