Napoli reagon furishëm pas turpërimit në Europë dhe mposht Interin me stil

Napoli i është rikthyer fitoreve me një paraqitje mbresëlënëse në “Stadio Diego Armando Maradona”, ku mposhti 3-1 Interin dhe vazhdoi serinë e pamposhtur në Serie A këtë sezon (6 fitore, 2 barazime).

Pas humbjes shokuese 6-2 ndaj PSV-së në mesjavë në Ligën e Kampionëve, ekipi i Antonio Contes u kthye fuqishëm në kampionat, duke dhënë një mesazh të qartë për rivalët në garën për titull.

Pjesa e parë nisi me shumë ekuilibër, por shpërtheu rreth minutës së 30-të. Frank Anguissa dhuroi një asist spektakolar me një prekje të zgjuar për Giovanni Di Lorenzo, i cili u rrëzua në zonë nga Henrikh Mkhitaryan. Pas një pritjeje prej pesë minutash nga VAR-i, Kevin De Bruyne ekzekutoi me qetësi penalltinë dhe shënoi, por pësoi një dëmtim në muskuj dhe u detyrua të largohej menjëherë nga fusha.

Interi reagoi fort me sulme të njëpasnjëshme. Dumfries dhe Acerbi goditën shtyllën me kokë, por Napoli ia doli të mbante epërsinë deri në fund të pjesës së parë. Në pjesën e dytë, Scott McTominay realizoi një gol spektakolar: pas një topi të gjatë që dukej i humbur, ai kontrolloi dhe goditi me volej, duke mposhtur Sommer dhe ndezur stadiumin.

Interi reagoi menjëherë dhe fitoi një penallti pas një prekjeje me dorë nga Buongiorno, konfirmuar nga VAR. Hakan Çalhanoğlu realizoi saktë për të ngushtuar shifrat në 2-1. Por Napoli nuk u ndal – dhe ishte sërish Anguissa që mori përgjegjësinë. Mesfushori kamerunas mori topin, depërtoi me shpejtësi në zonë dhe me një goditje të fuqishme shënoi golin e tretë, duke vulosur fitoren.

Ky ishte suksesi i pestë radhazi i Napolit në shtëpi këtë sezon në të gjitha kompeticionet. Me këtë fitore, Napoli kalon Interin në renditje dhe ngjitet në vendin e parë të Serie A, një pikë më shumë se AC Milan. Interi, ndërkohë, zbret në vendin e katërt.

 

 

Standings provided by Sofascore