Kombëtarja U20 e Kosovës zhvilloi të enjten një grumbullim njëditor seleksionues me futbollistë nga kampionati vendor, në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet miqësore ndaj Katarit, që do të luhen më 2 dhe 5 nëntor.

Përzgjedhësi Bekim Isufi, së bashku me ndihmësit Sunaj Keçi dhe Erdin Hashani, vëzhguan nga afër paraqitjet e futbollistëve në një ndeshje testuese, me synimin për të evidentuar formën dhe potencialin individual të secilit lojtar.
Grumbullimi i radhës do të mbahet më 30 tetor, ku përveç lojtarëve nga kampionati vendor, do të ftohen edhe futbollistë që aktivizohen në kampionate të ndryshme evropiane. Ky kombinim pritet të japë një pasqyrë më të qartë të kësaj gjenerate dhe të shërbejë si bazë për përgatitjet ndaj Katarit.

Pas grumbullimit, trajneri Isufi vlerësoi entuziazmin dhe cilësinë e grupit:
“Kemi një gjeneratë premtuese, me futbollistë të lindur në vitet 2006, 2007 dhe 2008. Vërehet një dallim te ata që kanë pasur më shumë minuta, veçanërisht në Ligën e Parë. Presim që me ardhjen e lojtarëve nga jashtë të kemi një ekip më konkurrues. Ky ishte vetëm një grumbullim njëditor, ndaj nuk mund të nxjerrim përfundime të plota. Djemtë ende nuk janë mësuar me lojën e njëri-tjetrit, por do të vijojmë me grumbullime të tjera për të ndërtuar një pasqyrë sa më të saktë.”
Kombëtarja U20 synon të formësojë një ekip solid dhe të balancuar, që do ta përfaqësojë denjësisht Kosovën në arenën ndërkombëtare.
