Kombëtarja e Kosovës do t’i zhvillojë ndeshjet e tetorit pa mesfushorin e djathtë Florian Haxha, i cili aktivizohet në kampionatin polak me skuadrën Motor Lublin.
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) njoftoi zyrtarisht se 21-vjeçari nuk do të jetë pjesë e grumbullimit për përballjet ndaj Sllovenisë dhe Suedisë, për shkak të gjendjes shëndetësore që nuk i lejon të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda.
Pavarësisht mungesës së Haxhës, përgatitjet e “Dardanëve” po vazhdojnë sipas planit.
Kombëtarja do të mbajë sot seancën e dytë stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 16:30, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026.
Kosova do të përballet fillimisht me Slloveninë më 10 tetor, ndërsa tre ditë më vonë do të presë Suedinë në Prishtinë.