Komuna e Kaçanikut së fundmi ka promovuar dy fusha të vogla sportive në fshatrat Doganaj dhe Soponicë, duke i prezantuar si investime të rëndësishme për rininë lokale. Ambientet janë ndërtuar sipas standardeve moderne, të pajisura me ndriçim publik, rrethoja mbrojtëse dhe ulëse për shikuesit.
Sipas njoftimit të Komunës, këto qendra nuk janë vetëm hapësira për sport, por vende për bashkim komunitar, zhvillim personal dhe krijim lidhjesh të reja mes të rinjve. “Ta gëzojnë banorët e kësaj ane!”, përfundon njoftimi optimist i institucioneve lokale.
Megjithatë, teksa zhvillohen investime në fusha të vogla periferike, stadiumi kryesor i qytetit, “Besnik Begunca”, vazhdon të mbetet i papërfunduar – me vetëm një gjysmëtribunë funksionale dhe pa një afat të saktë për përfundim.
Ish-deputeti nga Kaçaniku, Milazim Salijaj, para gati një viti kishte ngritur shqetësime për vonesat në projektin e stadiumit. Ai kishte pohuar se komuna kishte dështuar ta dorëzonte me kohë projektin e plotë me paramasa dhe parallogari në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke fajësuar për këtë vonesë drejtoreshën e atëhershme Hafize Sallahu, e cila më vonë u arrestua për çështje të tjera.
Ndërkohë, qytetarët mbeten me pyetjen: kush është realisht përgjegjës për ngecjen e një prej projekteve më të rëndësishme sportive të komunës?
