Luciano Spalletti është emri kryesor në listën e Juventusit për të zëvendësuar Igor Tudorin, i cili u shkarkua të hënën nga posti i trajnerit. Sipas informacioneve të „Football Italia“, tashmë ka pasur kontakte të drejtpërdrejta mes drejtuesve të klubit dhe ish-trajnerit të kombëtares italiane.
Tudor u largua pas një serie prej tetë ndeshjesh pa fitore në të gjitha kompeticionet, si dhe katër ndeshjesh pa shënuar asnjë gol. Humbja e fundit, 1-0 ndaj Lazios në „Stadio Olimpico“, ishte edhe pika që çoi në ndërprerjen e bashkëpunimit.
Burime të besueshme konfirmojnë se ka pasur kontakte konkrete mes Spallettit dhe përfaqësuesve të Juventusit. Negociatat po zhvillohen përmes një ndërmjetësi, dhe klubi është i gatshëm të avancojë më tej me bisedimet.
Spalletti ka shprehur gatishmërinë e plotë për të marrë drejtimin e „Zonjës së Vjetër“. Ai kërkon një kontratë 18-mujore, por është i hapur edhe për një marrëveshje që zgjat deri në fund të sezonit 2025-26, me mundësi zgjatjeje për një vit tjetër.
Emra të tjerë që janë përmendur si kandidatë të mundshëm janë Raffaele Palladino dhe Roberto Mancini, por për momentin ata mbeten alternativa dytësore.
Juventusi shpreson të finalizojë marrëveshjen me Spallettin, megjithatë, palët ende nuk kanë arritur një akord përfundimtar.
Zyrtare: Juventus shkarkon Igor Tudorin – në garë për stolin Spalletti dhe Palladino