Zyrtare: Juventus shkarkon Igor Tudorin – në garë për stolin Spalletti dhe Palladino

Juventus ka zyrtarizuar këtë të hënë shkarkimin e trajnerit Igor Tudor, pas një serie rezultatesh negative që kulmuan me tre humbje radhazi dhe katër ndeshje pa shënuar gol. Vendimi u komunikua përmes një deklarate zyrtare, ku klubi falënderoi Tudorin dhe stafin e tij për profesionalizmin dhe përkushtimin.

Në ndeshjen e radhës ndaj Udineses, skuadra do të drejtohet nga Massimo Brambilla, trajneri i ekipit Juventus NextGen, i cili është emëruar përkohësisht në krye të ekipit të parë.

Tudor u emërua në mars të këtij viti në vend të Thiago Mottës, dhe në 24 ndeshje si trajner i „Zonjës së Vjetër“ arriti 10 fitore, 8 barazime dhe 6 humbje. Megjithatë, pas tetë ndeshjesh radhazi pa fitore dhe një sulmi që nuk po funksionon, drejtuesit vendosën t’i japin fund aventurës së tij.

Sipas burimeve të ndryshme, përfshirë gazetarin e njohur Fabrizio Romano dhe Matteo Moretto, dy emrat kryesorë për të zëvendësuar Tudor janë Luciano Spalletti dhe Raffaele Palladino.

Spalletti u largua nga drejtimi i Kombëtares së Italisë në qershor, ndërsa Palladino u nda me konsensus nga Fiorentina në fund të sezonit të kaluar. Të dy trajnerët janë të lirë dhe shihen si kandidatët më të mundshëm për të marrë drejtimin e Juventusit në këtë fazë delikate.

Aktualisht, Juventusi ndodhet në vendin e 8-të në Serie A me 12 pikë pas tetë ndeshjesh dhe do të përpiqet të rikthehet te fitorja në përballjen ndaj Udineses në „Allianz Stadium“.