Istogu dhe Shqiponja zhvilluan një ndeshje interesante të dielën mbrëma në palestrën “Dresha” në Banjë, ku fitorja i shkoi skuadrës vendase, Istogut, me rezultatin 38:34.

Kjo ishte kryendeshja e xhiros së pestë të Superligës së Kosovës në hendboll për femra. Pjesa e parë ishte e barabartë, me Shqiponjën që në një moment shkëputej me tre gola, por pas 30 minutave Istogu mbante epërsinë minimale 19:18.
Pas minutës së 40-të, istogaset filluan të shkëputen në rezultat, ndërsa gjakovaret nuk arritën të afrohen më shumë se tre gola. Joneidel Balotinelle Olikaka ishte më e dalluara te Istogu me 14 gola, ndërsa Angjelina Krasniqi shtoi 9 dhe Suzana Ujkiq 6 gola. Tek Shqiponja, Ana Carolini Gonçalves shënoi 11 gola, ndërsa Alma Nivokazi dhe Juleidt Lourençao realizuan nga 6 secila.
Kampioni aktual, Istogu, regjistroi fitoren e katërt rresht, ndërsa Shqiponja pësoi humbjen e dytë rresht, duke mbajtur edhe tri fitore.
Në të njëjtën ditë, Samadrexha mposhti Kastriotin 46:19, kurse Ferizaj mundi Besën me 38:22. Të dy ekipet, Samadrexha dhe Ferizaj, kanë nga katër fitore rresht.