Java e shtatë e Superligës A në volejboll për femra solli emocione dhe përmbysje, ku Vëllaznimi shënoi fitoren e parë sezonale pas një ndeshjeje dramatike ndaj Gjinocit, ndërsa Drita vazhdoi formën e mirë duke triumfuar ndaj Fushë Kosovës dhe duke konsoliduar pozitën e dytë në renditje.
Vëllaznimi fiton derbin e skuadrave të fundit dhe siguron fitoren e parë në elitë
Raiffeisen Superliga A (Femrat) – Java e 7-të
Vëllaznimi 3:2 Gjinoci
Setet: 25-27, 25-20, 25-22, 19-25, 15-12
Në një përballje dramatike të skuadrave që ndodhen në fund të tabelës, Vëllaznimi arriti të regjistrojë fitoren e parë në këtë edicion të Superligës, që prej rikthimit në elitën e volejbollit kosovar.
Ndeshja u zhvillua në pesë sete të luftuara, ku të dyja skuadrat treguan vullnet dhe përkushtim të lartë. Në fund, ishte skuadra nga Gjakova ajo që doli më e suksesshme, duke marrë tri pikët e para në kampionat dhe duke dhënë shenja ringjalljeje.
Megjithëse pësoi humbje, Gjinoci gjithashtu arkëtoi pikën e parë sezonale, duke konfirmuar përmirësimin në performancën e saj.
Drita vazhdon serinë pozitive dhe konsolidon vendin e dytë
Raiffeisen Superliga A (Femrat) – Java e 7-të
Fushë Kosova 1:3 Drita
Setet: 25-21, 20-25, 21-25, 21-25
Drita e Gjilanit ka vazhduar formën e mirë në kampionat, duke marrë një tjetër fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Fushë Kosovës.
Vendaset e nisën më mirë takimin, duke fituar setin e parë, por përvoja dhe loja e organizuar e Dritës u shfaqën në vijim. Skuadra gjilanase riktheu ritmin dhe mori tri setet pasuese, duke siguruar fitoren e pestë sezonale.
Kjo fitore e ngjit Dritën në kuotën e 15 pikëve, duke forcuar pozitën e dytë në renditje, menjëherë pas kampioneve aktuale të Fer Volley.
Nga ana tjetër, Fushë Kosova regjistroi disfatën e tretë, ndonëse ofroi rezistencë në çdo set.