Guri i rëndë peshon në vend të vet – Blend Baftiu rikthehet si top shënues te Prishtina

Blend Baftiu po shfaqet si versioni më i mirë i vet që prej kohësh. Mesfushori sulmues ka shënuar pesë gola në tetë ndeshje dhe po rikthehet si një nga figurat kyçe të futbollit kosovar.

Karriera e tij ka pasur ngritje dhe rënie, por duket se tashmë fantazisti ka gjetur përsëri ritmin dhe besimin te Prishtina, klub ku filloi të shkëlqente si i ri.

Baftiu nisi karrierën e tij te Prishtina si fëmijë dhe debutoi me ekipin e parë në sezonin 2017/18, duke shënuar edhe një gol të rëndësishëm ndaj Gjilanit. Por ai vendosi të kalojë te Ballkani, ku së bashku me Arber Hoxhën, ku shpërtheu në performanca të larta dhe u bë një nga lojtarët më të vlerësuar në kampionat.

Ky moment i dha edhe mundësinë të ftohej te Kombëtarja e Kosovës, ku luajti tri ndeshje miqësore ndaj Guinesë, Gabonit dhe Suedisë në sezonin 2020/21.

Gjatë kohës së pandemisë, Blend Baftiu ishte në qendër të interesit për shumë klube, duke pranuar oferta të shumta nga jashtë vendit.

Megjithatë, për shkak të mos-menaxhimit të duhur të transferimit dhe mos-shitjes në kohën e përshtatshme, lëvizja e tij jashtë vendit nuk u realizua siç pritej. Kjo e ndaloi përkohësisht karrierën e tij ndërkombëtare.

Megjithatë, vitet pas këtij kulmi nuk ishin të lehta. Te Drita statistikat nuk ishin të këqija, por pritshmëritë e klubit gjilanas ishin më të larta. Aventura te Llapi gjithashtu nuk rezultoi e suksesshme, duke e lënë Baftiun të kërkonte rikthimin në “shtëpinë” e tij të parë – Prishtinën.

Ky rikthim duket se i ka bërë shumë mirë, pasi mesfushori sulmues ka filluar të tregojë formën e vjetër, duke u bërë lideri i padiskutueshëm i fazës sulmuese të klubit.

Që nga rikthimi te Prishtina, Baftiu ka shënuar gola vendimtarë në fitoret ndaj Dukagjinit, Prishtinës së Re, Ferizajt dhe Ballkanit, si dhe ka gjetur rrjetën edhe në humbjen ndaj Gjilanit, duke treguar se aftësia e tij për të ndikuar në lojë nuk varet nga minuta e startit.

Ai shpesh ka luajtur si zëvendësues, por nga banka ka ditur të ndryshojë ritmin e ndeshjeve dhe të sjellë vendime të rëndësishme, sikurse ndodhi me Ballkanin dhe Malishevën.

Edhe pse ka shënuar pesë gola dhe po tregon dominim në sulm, Baftiu i duhet vetëm edhe pak për të kapur ritmin e mëparshëm dhe për të qenë i pakontestueshëm në gjithë kampionatin.

Vetëbesimi ka rikthyer talentin që nuk i ka munguar kurrë, ndërsa golat po vijojnë të shënohen një nga një, duke e kthyer Blend Baftiun në një nga emrat më të rëndësishëm dhe të besueshëm të Prishtinës këtë sezon.

Në këtë mënyrë, Baftiu po tregon se rikthimi te klubi i tij i parë ishte vendimi i duhur, duke e kthyer në një lojtar që mund të vendosë diferencën në çdo ndeshje dhe të udhëheqë Prishtinën drejt suksesit në Superligën e Kosovës.