Adis Beçiragiq jep dorëheqje nga përfaqësuesja e Bosnjë

Adis Beçiragiq

„Stresi më goditi, më pret një operacion”.

Pas tre vitesh në krye të përfaqësueses së basketbollit të Bosnjë e Hercegovinës, Adis Beçiragiq ka dhënë dorëheqjen nga posti i trajnerit të ekipit kombëtar. Vendimi u bë publik pas përfundimit të pjesëmarrjes në Eurobasket, ku Bosnja arriti një nga rezultatet më të mira në historinë e saj.

Siç konfirmohet për Klix.ba, përcjellë Kërlaçki, Beçiragiq ka paraqitur dorëheqjen pas përfundimit të kampionatit, duke mbyllur kështu një kapitull të rëndësishëm në karrierën e tij dhe në rrugëtimin e ekipit përfaqësues.

Në një letër drejtuar Bordit Drejtues të Federatës së Basketbollit të Bosnjës, Beçiragiq shpjegoi arsyet e këtij vendimi, duke theksuar problemet shëndetësore dhe ngarkesën psikologjike që ka përjetuar gjatë përgatitjeve dhe ndeshjeve:

“Ju drejtohem pas marrjes së njërës prej vendimeve më të vështira në karrierën time. Jap dorëheqjen nga posti i trajnerit të përfaqësueses së  Bosnjë dhe Hercegovinës. Arsyet janë disa, por ajo kryesorja lidhet me shëndetin. Stresi më ka prekur thellë dhe ka ndikuar në gjithë organizmin tim. Vetëm unë e di çfarë kam kaluar dhe çfarë pasojash ndjej ende sot. Së shpejti do t’i nënshtrohem një operacioni.”

Beçiragiq shtoi se, ndonëse do të vazhdojë punën në klubin e tij Trepça në Kosovë, nuk mund të vazhdojë më me përfaqësuesen:

“Kam përjetuar gëzimet më të mëdha me këtë ekip, por edhe dhimbjet më të mëdha kur rezultatet nuk ishin siç dëshironim. Shëndeti duhet të jetë gjithmonë prioritet. Shpresoj që dorëheqja ime të pranohet.”

Adis Beçiragiq mori drejtimin e përfaqësueses në verën e vitit 2022, duke pasuar Vedran Bosniç. Nën drejtimin e tij, Bosnja mori pjesë në dy edicione të Eurobasket-it. Në të fundit, arriti të kalojë fazën e grupeve dhe u eliminua nga Polonia në fazën e 1/8-ës së finales.

Kampionati u përmbyll me Bosnjën në vendin e 13-të – një arritje historike që renditet si rezultati i dytë më i mirë në historinë e përfaqësueses.

Në përfundim të letrës së tij, Beçiragiq u shpreh i gatshëm të ofrojë ndihmë dhe këshilla për pasardhësin e tij dhe për të gjithë ata që punojnë në basketbollin boshnjak.