Partizani i Tiranës, një nga klubet më me histori në futbollin shqiptar, vazhdon të habisë opinionin publik me zgjedhjet e tij për stolin teknik. Analisti dhe pasionanti i futbollit Artan Hoxha ka qenë ndër zërat më të drejtpërdrejtë në kritikën ndaj “dashurisë” së kuqve për trajnerët serbë.

Vetëm pak kohë para se Mladen Milinkoviç të shkarkohej nga drejtimi i skuadrës, Hoxha kishte ngritur zërin me një koment të prerë:
“Problemi i Partizanit, që nuk e kam kuptuar asnjëherë: çfarë është kjo dashuri për serbët?! Një trajner i mirë nga Serbia nuk vjen këtu. Vjen ndonjë që ka pasur rezultate modeste, si Gvozdenoviç, që është rritur këtu dhe ka ndërtuar karrierën si trajner në Shqipëri. Ai është ndoshta i vetmi që e ka justifikuar veten. Po pjesa tjetër? Ka dalë kampion me Buduçnostin në Mal të Zi… me Buduçnostin!”

Brenda vetëm një viti, Partizani ka konsumuar dy trajnerë serbë. Fillimisht, në gusht 2024 erdhi Aleksandar Veselinoviç, i cili nuk e mbajti stolin më shumë se deri në shkurt 2025. Pas tij, stafet kaluan te Arbër Abilalijaj, më pas Skënder Gega, dhe sërish rikthimi tek një tjetër serb – Milinkoviç.
Një cikël pa frymë, pa rezultate dhe me shumë pikëpyetje.

Pyetja që ngrehim është e thjeshtë: a është ngopur më në fund Olsi Rama, vëllai i kryeministrit dhe drejtori i përgjithshëm i klubit, me këtë politikë „dashurie“ me serb?
Përgjigjja mbetet për t’u parë. Por një gjë është e qartë: tifozët e kuq nuk presin më trajnerë që vijnë e ikin si në stacion autobusi. Ata kërkojnë stabilitet, identitet dhe mbi të gjitha, rezultate. Dhe për këto, asnjë diplomë serbe nuk mjafton.