Derisa në banesën e vajzave serbe po diskutohej se si të vepronte grupi pas ngjarjeve jo shumë larg, në stadiumin e Partizanit, aty ku i njohuri Ivan Bogdanov po bënte sërish „show“.
Vazhdon nga pjesa e gjashtë
Derisa ende futbollistët shqiptarë po iknin nga përndjekja e tifozëve serbë, në skenë, sërish, Ivan Bogdanov. S’kishte si të mungonte paraqitja e tij edhe një herë, pas kalljes së flamurit shqiptar në Xhenova, më 2008.
Në stadium, tifozët kishin filluar të shanin Vuçiqin, iu dukej i butë në pritjen që u kishte bërë shqiptarëve. Në pjesën jugore të tribunës, më në fund po intervenonte policia vendase. Por, vend për futboll më nuk kishte.
Djemtë tanë, 3 Plisat dhe 2 preshevarët, po debatonin se si t’ia bënin. Kishin plane të qëndronin në Beograd deri pas qetësimit të situatës. Nuk iu duk ide e mirë – mund të zbuloheshin lehtësisht në atë banesë, në mes të Beogradit.
Ishte vendosur që sa më shpejt, ngasësi B. të shkonte me taksi të merrte makinën e tij që e kishte parkuar në të mbërritur në Beograd shumë kohë më parë.
Do. ende kishte stikera të pavendosur. Nuk e kishte planifikuar që udhëtimi do të zgjaste kaq pak. Stikerat e fundit, të mbetur, nëpër shtyllat dhe vendet e dukshme të Beogradit, do t’i vendosnin dy serbët! E kishin mbajtur fjalën.
Tension mes Do. dhe V. më nuk kishte. Duke tentuar të dilnin nga Beogradi, kur gjithçka pothuajse kishte përfunduar, gabojnë rrugën dhe, rastësisht e çuditërisht, edhe njëherë i sillen afër stadiumit ku ishte ndërprerë ndeshja. Tifozët e fundit serbë, me tupana në dorë, po largoheshin nga aty. Tensioni i fundit ishte në njërën prej pikave të pagesës rrugore. Në njërën prej hyrjeve, serbë nga Serbia qendrore, po ktheheshin – por të pirë dhe të droguar, kishin hipur të zhveshur mbi kabinën e pikëpagesës. Ishte momenti i fundit i rrezikshëm. Duhej ndalur makina për të bërë pagesën. Serbët sikur kishin nuhatur. Ishte përpjekja e fundit, mbase, sepse ishin përhapur zëra në media të shumta, se disa tifozë shqiptarë po silleshin nëpër Beograd. Do. kishte hapur pak derën e mbrapme të makinës, me mjetin e tij të mprehtë. Nuk donte t’ia linte rastit. Nëse do të sulmonin makinën, nuk donte të bllokoheshin brenda. Megjithatë, reagimi i ngathët i të pirëve dhe droguarëve ndihmoi që B., ngasësi i makinës, me shpejtësi të bënte pagesën dhe, me dhënie shpejtësie të madhe, u larguan nga aty, duke lënë serbët mbrapa – duke sharë dhe vrapuar pas makinës. Ngjarje të tjera nuk pati. Disa nga grupi po flinin në makinë.
FUNDI
Në Preshevë u bë ndarja, pak para se të zbardhte. Plisat kishin mbërritur në pikën kufitare me taksinë e njëjtë që i kishte dërguar në Preshevë. I priste një makinë tjetër me Plisa. Pas mbërritjes në Prishtinë, anëtarët e grupit, si të vdekur, kishin mbyllur sytë për orë të tëra në gjumë. Ishin dy ditë të plota pa gjumë, ankth, tension, adrenalinë. Në Prishtinë, mediat këtu dhe rajonale, kishin bërë hatanë.
PASOJAT
De., jo shumë pas ngjarjes, me vendin e tij të punës, me projekt ndërkombëtar, kishte pasur event në njërin prej hoteleve të Beogradit. Ishte i shoqëruar me dy kolegë të tjerë nga Prishtina. Gjatë daljes nga hoteli, kur kishte qëlluar afër paradës ushtarake, kishte vërejtur praninë e afërt të policisë nga lëvizjet e tyre. Dyshonte. Por, deri në Merdare, në pikën kufitare, kur po mendohej që gjithçka kishte përfunduar dhe se edhe ashtu nuk do t’ia mësyente kurrë më Beogradit – u ndal. U veçua nga grupi. U dërgua mbrapa në Prokuplje. Me pyetje të dyshimta: a kishte qenë në Beograd me 14 tetor të vitit 2014?
Megjithatë, nuk kishin dëshmi të mjaftueshme. Në tavolinë i kishin treguar foto propagandistike të anëtarëve të tjerë që kinse kishin qenë në Beograd. De. dhe grupi nuk ishin ekspozuar me fotografi – edhe pse kishin bërë. E kishte shpëtuar edhe fakti që ishte shtetas i një vendi tjetër. Pas një maltretimi verbal, De. lirohet, por me detyrim paraqitjeje sërish pas një kohe të caktuar në Prokuplje. Kjo s’kishte ndodhur kurrë. As që do të ndodhë ndonjëherë më. De. e ka fshirë Serbinë nga harta. Ashtu siç e kanë fshirë të gjithë anëtarët e atij grupi mitik që kishte shkelur Beogradin e 14 tetorit të vitit 2014. Duke lënë gjurmë, kujtime të paharruara – e ndonjë stiker ende të paparë nga serbët në rrugët e Beogradit. FUND.