Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës ka marrë vendim të prerë për futbollistin e Ballkanit, Arbër Potoku, duke e dënuar me katër ndeshje moslojë, pas sjelljes së tij në ndeshjen ndaj Prishtinës.
Potoku u përjashtua me karton të kuq direkt, ndërsa sipas raportit të zyrtarëve të ndeshjes, ai ishte përfshirë në disa veprime të papranueshme që çuan në këtë vendim të ashpër.
Fillimisht, lojtari dyshohet se ka ofenduar disa herë tifozët vendas, e më pas ka reaguar në mënyrë të pahijshme edhe pas ndëshkimit me karton të kuq. Komisioni sqaron se Potoku ka refuzuar të largohet nga fusha, duke e vazhduar me ofendime, fyerje dhe kërcënime ndaj gjyqtarit kryesor, Genc Nuza.
Situata ka eskaluar më tej jashtë stadiumit. Sipas vendimit disiplinor, Potoku ka tentuar të sulmojë Nuzën në parkingun zyrtar, ku ka vijuar me sjellje agresive dhe ofendime, përfshirë pështymje dhe sharje, derisa është dashur ndërhyrja e policisë për të shmangur konfrontimin fizik.
Ky incident ka ngritur shqetësime serioze dhe rikthen në vëmendje nevojën për respekt ndaj zyrtarëve të ndeshjes dhe rregullave të sjelljes në futbollin kosovar.