Skuadra e KVH Dritës nuk ka arritur të shfrytëzojë epërsinë e fushës dhe përkrahjen e publikut në ndeshjen hapëse të Kupës së BVA-së 2025 për femra, duke pësuar humbje 0:3 nga OK Herceg Novi i Malit të Zi, në palestrën “Ilaz Kodra” të Skenderajt.
OK Herceg Novi 3:0 KV Drita (25-22, 25-7, 26-24)
Seti i parë nisi me entuziazëm dhe atmosferë pozitive nga tribunat, ku Drita u paraqit me vendosmëri dhe ritëm të mirë. Megjithatë, mungesa e qartësisë në fazat përfundimtare dhe përvoja e skuadrës kundërshtare bënë që seti të mbyllej në të mirë të malazezeve me rezultat 25:22.
Seti i dytë ishte pika më e dobët e paraqitjes së gjilanasve. Pa komunikim të duhur në fushë dhe me mungesë reagimi taktik, Drita u dominua plotësisht, duke pësuar me diferencë të thellë 25:7 – një rezultat që ngriti shqetësime për qasjen mentale të skuadrës në momentet e vështira.
Në setin e tretë u pa një rikthim në intensitet, me lojë më të balancuar dhe përpjekje për të zgjatur ndeshjen. Megjithatë, edhe këtu, gabimet në pikat kyçe rezultuan vendimtare dhe ndeshja u mbyll 26:24 në favor të Herceg Novit.
Kjo humbje e parë lë Dritën në një pozitë të vështirë, por turneu nuk ka përfunduar. Nesër, gjilanaset përballen me Fit Fun Volley nga Maqedonia e Veriut, në një ndeshje ku pritet reagim i qartë dhe përmirësim në të gjitha aspektet e lojës

AEK Athina 3:0 Fit Fun Volley (25-14, 25-9, 25-15)
Në ndeshjen hapëse të turneut, skuadra greke AEK Athina dominoi ndaj ekipit OK Fit Fun Volley nga Maqedonia e Veriut, duke fituar me rezultat të pastër 3-0.
AEK tregoi një nivel të lartë loje që nga fillimi, me shërbime të sakta, bllok të fortë dhe organizim efikas në të gjitha repartet. Greket fituan setet me lehtësi, duke e mbyllur sfidën me diferencë të theksuar pikësh dhe duke konfirmuar veten si një prej pretendentëve për trofe.