Zekirija Ramadani u shpreh optimist në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Kups në Conference League.
“Për të arritur rezultat duhet të bësh futboll të mirë. E dimë se çfarë kemi bërë për të arritur deri këtu. Nuk është punë e lehtë, është e vështirë dhe një motiv shtesë për ne, pasi jemi për herë të parë në këtë fazë po ashtu edhe kundërshtari“, deklaroi Ramadani.
„E di që kjo është një arritje historike për skuadrën tonë, por e di se mundemi, duhet dhe e kemi obligim moral e profesional që mos të jemi të kënaqur, por të kërkojmë suksese tjera. Hapi i parë për të arritur suksese tjera është që ta nisim me fitore. Do të jetë ndeshje e vështirë, kemi përballë një kundërshtar të mirë, por ky është motivi jonë kryesor”.
“Do të jetë ndeshje e vështirë, pasi të dy ekipet jemi debutues dhe të dy ekipet e duam fitoren. Duhet të jemi të kujdesshëm, të mbrohemi mirë dhe të sulmojmë me më pak lojtarë, pasi e rëndësishme është të mos pranojmë gol“.
„Në Superligë kemi pranuar gola dhe kjo na ka shqetësuar. Sot futbolli nuk është sport që fiton gjithmonë më i miri, është edhe fati në pyetje. Kemi respekt për çdo kundërshtar derisa fillon ndeshja, pastaj kur fillon, nuk kemi aspak respekt, duam ta mposhtim, shkelim dhe fitojmë. Posedimi i topit duhet të jetë arma jonë”, shtoi ai.
Ndeshja zhvillohet nesër në Finlandë nga ora 18:45.