Ylli i Javës në Superligë – Blendi Baftiu, vendimtar në derbin kundër Ballkanit

Blend Baftiu

Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka ndarë çmimin tradicional “Ylli i Javës” për javën e tetë të edicionit aktual. Nderi këtë herë i ka takuar mesfushorit të FC Prishtina, Blendi Baftiu, i cili ishte vendimtar në fitoren e skuadrës së tij ndaj rivalit të përjetshëm, FC Ballkanit.

Në një ndeshje me peshë të madhe për kreun e tabelës, Baftiu realizoi golin e vetëm të takimit, duke i siguruar tre pikë të arta Prishtinës në minutat e fundit të përballjes. Performanca e tij u vlerësua maksimalisht nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i cili përzgjedh lojtarin më të mirë të javës në Superligë.

Blend Baftiu
Blend Baftiu

I entuziazmuar pas marrjes së këtij çmimi, Baftiu u shpreh:

“Kemi pasur një start shumë të mirë të këtij sezoni, si me ekipin, ashtu edhe në aspektin personal. Ndeshja kundër Ballkanit ishte një emocion më vete, derbi klasik dhe një fitore në minutat e fundit e bën gjithçka edhe më të veçantë. Më vjen mirë që, falë golit tim, i dhamë fitores vlerë dhe ky çmim është një dedikim për bashkëlojtarët e mi që japin gjithmonë maksimumin, por edhe për ‚Plisat‘, të cilët janë gjithmonë aty për ne.”

Baftiu shtoi se atmosfera në ekip është shumë pozitive, falë rezultateve dhe synimeve të qarta të klubit:

“Pretendimet e Prishtinës janë gjithmonë titulli kampion, sepse jemi klubi më i madh në vend. Shpresoj ta ruaj këtë formë dhe të kontribuoj edhe më tej për arritjet e ekipit.”

Për Prishtinën dhe Baftiun, ky çmim vjen si një motivim shtesë në garën për titullin, ndërsa për rivalët, një sinjal se bardhekaltrit janë seriozë këtë sezon.

Guri i rëndë peshon në vend të vet – Blend Baftiu rikthehet si top shënues te Prishtina