Tudor: Juventusi në një moment të keq, por nuk më intereson e ardhmja ime

Igor Tudor

Trajneri i Juventusit, Igor Tudor, kritikoi lojtarët Andrea Cambiaso dhe Jonathan David pas humbjes së tretë radhazi të skuadrës së tij ndaj Lazios, por u shpreh i qartë: “Nuk më intereson e ardhmja ime.”

Jonathan David e nisi për herë të parë një ndeshje krah Dusan Vlahovic, por një kthim i gabuar me kokë nga ai i dha mundësinë Danilo Cataldit të ndërtonte aksionin që përfundoi me golin e Toma Basic nga distanca. Reagimi i Tudor ishte i menjëhershëm – brenda dhjetë minutash, ai kishte nisur nxehjen e Filip Kostic dhe u vu duke bërtitur ndaj Cambiaso, i cili u zëvendësua në pushim.

“Gabimi i ‘Johnny’-t na kushtoi”

“Kostiç po ngrohej sepse pashë që Cambiaso nuk po bënte mirë, por në përgjithësi skuadra kishte qëndrimin e duhur që nga fillimi, përjashto gabimin e Johnny-t dhe atë gol”, u shpreh Tudor për DAZN Italia.

“Jemi në një moment të keq, shumë të vështirë, duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të punojmë të gjithë së bashku. Ka zhgënjim, sepse mendoj që ishim përgatitur siç duhej, por gjithmonë na mungon diçka. Shkojmë deri në zonën kundërshtare dhe pastaj nuk arrijmë të shënojmë.”

“U themi vetes të mos bëjmë gabime, por gjithmonë ka ndonjë gabim që na kushton. Ndihesh keq, por duhet të qëndrojmë të bashkuar.”

Kriza sulmuese dhe statistika alarmante

Juventus nuk ka shënuar në katër ndeshjet e fundit, diçka që nuk ndodhte që nga marsi i vitit 1991 – në epokën e dështimit të Gigi Maifredi. Sipas Tudor: “E nisëm me dy sulmues, pastaj katër lojtarë ofensivë, i kemi provuar të gjitha, por diçka na mungon përpara.”

Pas pesë barazimeve radhazi, Juventusi ka pësuar tre humbje të njëpasnjëshme ndaj Komos, Real Madridit dhe Lazios – seria më negative që nga maji i vitit 2009.

“Jemi të gjithë përgjegjës. Duhet të bëjmë më mirë dhe të mos dorëzohemi. Kemi një ndeshje tjetër pas pak ditësh dhe një fitore mund të na rikthejë në rrugën e duhur. Nëse duhet të përdorim katër sulmues për të shënuar dhe 10 mesfushorë për të mbrojtur, atëherë kemi problem. Sidomos kur dikush gjithmonë bën një gabim vendimtar.”

“Siç e kam thënë, nuk ka nevojë për dramë. Luajmë sërish së shpejti dhe duhet të qëndrojmë të përqendruar.”

Lëvizjet taktike dhe “rrëfimi” për të ardhmen

Tudor eksperimentoi me Vlahovic dhe David në sulm, Conceição në krah dhe aktivizoi Yildiz në pjesën e dytë: “Kenanit i duhej pushim. Johnny dhe Dusan kanë instinkt për gol, por kur topi shkon në zonë, dikush duhet ta shtyjë në rrjetë. Nëse nuk ndodh, ndëshkohesh nga çdo gabim i vogël.”

Ndryshimi tjetër ndodhi në minutën e 25-të, kur Cambiaso kaloi në mesfushë dhe McKennie mori rolin e krahut ofensiv. “Pashë që Andrea kishte vështirësi ndaj Isaksen dhe nuk e interpretonte siç duhet rolin në krah. McKennie mbulon më mirë krahun, ndërsa Andrea mund të luajë si mezz’ala, ndaj i ndërruam.”

Pavarësisht rezultateve të dobëta, drejtuesit e Juventusit kanë shprehur publikisht besimin ndaj Tudor, por për sa kohë mund të vazhdojë kjo?

“Njerëzit më pyesin nëse ndiej rrezik apo shqetësim, por nuk mendoj për veten. Nuk më intereson e ardhmja ime. Më intereson vetëm të bëj maksimumin, të njoh problemet dhe të përpiqem t’i përmirësoj. E ardhmja ime ka vlerë zero”, përfundoi Tudor.

Lazio mposht Juventusin!