Kriza e Juventusit thellohet, ndërsa seria pa fitore e “Zonjës së Vjetër” u zgjat në tetë ndeshje në të gjitha kompeticionet, pas humbjes 1-0 ndaj Lazios në “Stadio Olimpico” – një tjetër rezultat zhgënjyes që shton presionin mbi trajnerin Igor Tudor.
Goal 🥅 “Lazio 1 – 0 Juventus”
⚽️ 9′ Toma Bašić
pic.twitter.com/xvlUUn6DEV— FutDball ⚽️ (@FutDball) October 26, 2025
Skuadra e Maurizio Sarrit e nisi fuqishëm ndeshjen dhe kaloi në avantazh që në rastin e parë serioz, me një goditje të devijuar të Toma Bašić nga rreth 20 metra, e cila përfundoi në cepin e portës pas vetëm nëntë minutash lojë. Juventus e pati të vështirë të çante mbrojtjen e organizuar të Lazios në pjesën e parë, ndërsa vendasit rrezikuan seriozisht për të dyfishuar epërsinë pas gjysmë ore lojë, kur Guendouzi dhe Isaksen u ndalën rradhazi nga një mbrojtje heroike e bardhezinjve në një zonë të mbipopulluar.
Rasti më i mirë për Juventusin në pjesën e parë erdhi në minutën e 34-të, kur Jonathan David përfitoi nga një pasim i zgjuar në thellësi, por portieri Ivan Provedel bëri një pritje vendimtare që ruajti epërsinë e Lazios. Ky mbeti edhe i vetmi goditje në kuadrat për Juventusin para pushimit, dhe diçka më e fortë se portokallet do të duhej në dhomat e zhveshjes për të zgjuar ekipin apatik të Tudor.
Pa shkëndijë, pa kthesë
Ndeshja u bë më e ashpër në pjesën e dytë, por rastet e pastra munguan deri në minutën e 65-të, kur Boulaye Dia lëshoi një goditje të rrezikshme që Perin e ndali me zgjuarsi në shtyllën e afërt. Igor Tudor reagoi menjëherë me dy zëvendësime, përfshirë aktivizimin e Khéphren Thuram në vend të Koopmeiners, por Juventus vazhdoi të vuante në ndërtimin e aksioneve sulmuese.
Një goditje me kokë e Thuramit në minutën e 75-të detyroi Provedel të ndërhynte sërish, duke ndezur shpresat për një barazim. Megjithatë, shtyrja përpara e bardhezinjve i ekspozoi ata në mbrojtje, dhe si Isaksen ashtu edhe Pedro ishin pranë finalizimit të ndeshjes në kundërsulm.
Fitorja i ngjit Lazion në pjesën e sipërme të tabelës së Serie A, ndërsa skuadra nuk njeh humbje prej katër ndeshjesh. Në kampin bardhezi, pakënaqësia po rritet si mes lojtarëve ashtu edhe tifozëve, me Juventusin që zbret në vendin e tetë dhe ende kërkon fitoren e parë që nga mesi i shtatorit.
