Trepça ’89 ngjitet në vendin e tretë, Sejdiu: Fitore e rëndësishme ndaj një kundërshtari direkt

Gani Sejdiu

Pas fitores ndaj Feronikelit 74, Trepça ’89 konfirmon formën e mirë dhe vazhdimësinë pozitive në Ligën e Parë, duke u ngjitur në vendin e tretë të renditjes pas javës së 12-të. Skuadra mitrovicase është tani një nga dy ekipet e vetme me vetëm një humbje gjatë sezonit, krahas liderit të ri, Vushtrrisë.

Minatorët i shkaktuan Feronikelit humbjen e dytë radhazi dhe të tretën gjithsej këtë sezon, duke e zbritur atë në pozitën e katërt. Ndërkohë, Trepça ’89 e Gani Sejdiut ka regjistruar 6 fitore dhe 5 barazime, me vetëm një disfatë, atë ndaj Tefik Çangës, dhe aktualisht ndodhet dy pikë larg kreut.

Pas ndeshjes, trajneri Sejdiu deklaroi për Kërlaçkin:

“Po mendoj se ishte një fitore e merituar, shumë e vështirë – si për nga rëndësia në aspektin e renditjes, ashtu edhe duke llogaritur kundërshtarin, i cili është një prej pretendentëve kryesorë, dhe për nga cilësia që posedon. Një fitore që na mban në objektivin tonë, në një moment shumë të rëndësishëm.”

Në javën e 13-të, Trepça ’89 do të udhëtojë përballë Suharekës, skuadër që ka marrë vëmendje për paraqitjet mbresëlënëse me futbollistë të rinj dhe rezultate pozitive, duke hijeshuar kampionatin me stilin e saj energjik.