Presidenti i FIBA Evropës, Jorge Garbajosa, viziton Kosovën – takim me Ministrin Çeku dhe drejtuesit e FBK-së

Jorge Garbajosa - Hajrullah Çeku - Arben Fetahu

Presidenti i FIBA Evropës, Jorge Garbajosa, dhe Drejtori Ekzekutiv i FIBA Evropës, Kamil Novak, janë pritur në një takim zyrtar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, së bashku me përfaqësues të kabinetit të tij. Në takim morën pjesë edhe drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK): Kryetari Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku.

Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet MKRS-së dhe FBK-së, si dhe për përkrahjen institucionale që Ministria ofron për zhvillimin e basketbollit në Kosovë. Temë kryesore ishte edhe organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, ku MKRS pritet të investojë në infrastrukturën sportive të nevojshme për këtë ngjarje ndërkombëtare.

Jorge Garbajosa - Hajrullah Çeku - Arben Fetahu
Jorge Garbajosa – Hajrullah Çeku – Arben Fetahu

Presidenti Garbajosa shprehu mirënjohje për përkrahjen që institucionet e Kosovës po i japin basketbollit, ndërsa theksoi rëndësinë e mbështetjes për garat vendore dhe ndërkombëtare të organizuara nga FBK. Edhe drejtuesit e Federatës e vlerësuan lartë bashkëpunimin me MKRS-në dhe konfirmuan përkushtimin për zhvillimin e mëtejmë të sportit të basketbollit në vend.

Kjo është vizita e dytë zyrtare e Garbajosa në Kosovë, pas asaj të realizuar në dhjetor të vitit 2024. Ai është zgjedhur President i FIBA Evropës në maj 2023, ndërsa Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, është anëtar i Bordit të FIBA Evropës.

Garbajosa po qëndron në Kosovë në kuadër të takimit të Komisionit të të Rinjve të FIBA Evropës, që për herë të parë po mbahet në vendin tonë. Kryetari Fetahu është nënkryetar i këtij Komisioni.