Java e katërt në Raiffeisen Superligën e volejbollit, si në konkurrencën e femrave ashtu edhe të meshkujve, solli përballje të forta dhe rezultate vendimtare. Fer Volley vazhdoi e pamposhtur në elitën e femrave me një fitore bindëse ndaj Skënderajt, ndërsa Ferizaj triumfoi në dy duele dramatike — ndaj Dritës te femrat dhe Skënderbeut te meshkujt — duke konfirmuar pretendimet e saj serioze në të dyja frontet e kampionatit.
Ndeshja e fundit e javës në konkurrencën e femrave, Prishtina 75 – Vëllaznimi, luhet sonte në orën 19:30.
FER VOLLEY DOMINON DERBIN DHE MBETET E PAMUNDUR TË MPOSHTET
Raiffeisen Superliga A (Femrat) – Java e katërt
Fer Volley 3:0 Skënderaj (25:13, 25:18, 26:24)
Kampionet në fuqi të Kosovës dhe fitueset e Superkupës, Fer Volley, kanë vazhduar serinë e fitoreve në kampionat kundër Skënderajt. Ferizajaset kontrolluan dy setet e para me dominim të qartë, ndërsa seti i tretë solli më shumë rivalitet. Megjithatë, përvoja dhe cilësia e kampioneve bënë diferencën në momentet vendimtare, duke siguruar një fitore të pastër 3:0.
Me këtë rezultat, Fer Volley mbetet e vetmja skuadër e pamposhtur në elitën e volejbollit për femra, duke konfirmuar superioritetin në skenën vendore.
FUSHË KOSOVA VAZHDON FORMËN POZITIVE
Fushë Kosova 3:1 Gjinoci (25:18, 22:25, 25:18, 25:21)
Skuadra e Fushë Kosovës ka regjistruar fitoren e tretë në katër ndeshje, duke mposhtur Gjinocin me rezultat 3:1. Volejbollistet nga Fushë Kosova konfirmojnë formën e mirë në këtë fillim sezoni, ndërsa Gjinoci mbetet ende pa pikë, duke e ndjerë mungesën e rezultateve pozitive në këtë edicion.
FERIZAJ MUND DRITËN NË SFIDËN DRAMATIKE TË JAVËS
Drita 2:3 Ferizaj (22:25, 15:25, 25:19, 25:20, 5:15)
Në një përballje plot emocione të zhvilluar në Greme të Ferizajt, Ferizaj ka dalë fitues ndaj Dritës pas një ndeshjeje me shumë kthesa. Pas epërsisë 2:0 të mysafireve, Drita reagoi për të barazuar në 2:2, por Ferizaj riktheu kontrollin në setin final, duke fituar me 3:2 dhe marrë dy pikë të rëndësishme në renditje.
Pas kësaj jave, të dyja skuadrat kanë bilanc të barabartë prej dy fitoreve dhe dy humbjeve, me Dritën që arrin në kuotën e 7 pikëve.
FERIZAJ FITON DERBIN NË SUPERLIGËN E MESHKUJVE
Raiffeisen Superliga A (Meshkujt) – Java e katërt
Ferizaj 3:2 Skënderbeu (25:22, 25:27, 25:18, 23:25, 15:12)
Në një nga sfidat më të forta të javës në konkurrencën e meshkujve, Ferizaj ka triumfuar ndaj Skënderbeut me rezultat të ngushtë 3:2, pas një përballjeje të luftuar deri në fund. Ferizajasit treguan qëndrueshmëri në setin final dhe regjistruan fitoren e tretë në këtë edicion.
Skënderbeu, ndonëse u mposht, mori një pikë të vlefshme që e mban në pozitën e tretë të tabelës së bashku me Pejën, me nga 10 pikë secila.