Serbia po përballet me kërcënime për përjashtim nga kualifikimet për Kupën e Botës 2026, një situatë që ka bërë të ditur edhe Federata e Futbollit e Serbisë (FSS).
Sipas njoftimeve zyrtare, biletat për ndeshjen me Shqipërinë nuk do të hidhen në shitje të lirë, duke marrë parasysh rreziqet e mundshme dhe përvojat negative të së kaluarës.
vendim vjen pas konsultimeve me FIFA, UEFA dhe Ministrinë e Brendshme të Serbisë, si dhe pas incidentit të vitit 2014, kur një ndeshje midis dy ekipeve u ndërpre dhe Serbia mbeti pa vend në një garë të madhe.

Sipas mediumit Nova.rs, ekziston mundësia e një pezullimi dyvjeçar për Serbinë nëse ndodh ndonjë incident apo skandal gjatë ndeshjes së 11 tetorit, që zhvillohet në stadiumin “Dubocica” në Leskovc, me fillim nga ora 20:45.
Megjithatë, FSS thekson se kjo nuk do të thotë që tribunat do të mbeten bosh; do të ketë prani të kontrolluar të tifozëve, përmes grupeve të autorizuara.
Ky vendim vjen vetëm disa ditë pasi FIFA ndëshkoi Serbinë për sjelljen e tifozëve në ndeshjen kundër Anglisë, ku ekipi serb pësoi humbjen 0-5. Federata shpreson që masat paraprake të sigurojnë një zhvillim të qetë të ndeshjes dhe të shmangen incidentet.

Ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë ka rëndësi të veçantë në kualifikimet për Kupën e Botës, duke u konsideruar vendimtare për pozicionin e dytë në Grupin K, i cili çon në play-off.