Dren Zeqiri, befasia e madhe e këtij sezon: Mbron dhe sulmon – mesfushori modern për futbollin e Kosovës

Dren Zeqiri ka ardhur pa shumë bujë në këtë afat kalimtar nga Ramiz Sadiku te Prishtina, por transferimi i tij ka rezultuar një hap i madh, si në plan personal, ashtu edhe për klubin, duke synuar të zërë vend në një nga skuadrat më të mëdha të Kosovës.

Ai e nisi aventurën e tij me Dukagjinin, ku në xhiron e parë, pasi u fut nga stoli, arriti të japë asistimin për golin e fitores 3-2, të shënuar nga Valmir Veliu. Që nga ajo ndeshje, minutat për Zeqirin kanë shkuar në rritje, duke u bërë një element kyç i ekipit.

Në tri ndeshjet e fundit, ai ka qenë titullar, nën drejtimin e trajnerit Arsim Thaqi. Në debutimin si startues, Zeqiri ndikoi direkt në lojë, duke nxjerrë me karton të kuq futbollistin e Prishtinës së Re, Ardijan Rudaj, një moment që i dha mundësi ekipit të tij të dominonte dhe të siguronte fitoren, shkruan Kërlaçki.

Dren Zeqiri në aksion me topin

Ndeshja e dytë si titullar ndaj Ferizajt i solli golin e parë personal në kampionat, duke treguar se po përshtatej shpejt dhe po kontributonte në sulm.

Ndeshja e tretë, ndaj rivalit të madh Ballkanit, e shfaqi Zeqirin në rolin e mesfushorit dominues, ku fitoi shumë duele dhe kontrolloi ritmin e lojës.

Golit të fitores i parapriu depërtimi i tij dhe gjuajtja që u prit nga portieri, ndërsa topi i kthyer u shfrytëzua për të vendosur rezultatin përfundimtar.

Dyshja Namani dhe Zeqiri

Zeqiri tani është bërë një pikë kyçe në mesfushën e Prishtinës, duke e spostuar para vetës më në sulm lojtarin me eksperiencë Gjelbrim Taipin dhe duke krijuar një dyshe të fortë para mbrojtjes së klubit së bashku me Hamdi Namanin.

Transferimet nga Ramiz Sadiku po dalin të suksesshme për Prishtinën. Fillimisht ishte Rigon Llugiqi, i cili u ndal përkohësisht nga lëndimi, pastaj Ron Raci, dhe tani Dren Zeqiri, një lojtar i ri që po bën diferencën në mesfushë.

Ky djalosh ka dhënë përshtypje se ka potencialin të drejtojë Prishtinën drejt asaj që klubi nuk e ka përjetuar për pesë vite – titullin kampion.

Dren Zeqiri, luan fortë në fazën mbrojtëse

Dren Zeqiri nuk është thjesht një lojtar i ri që po adaptohet te Prishtuna, por ai po bëhet lider i mesfushës, duke kombinuar forcën, shkathtësinë dhe vizionin e lojës.