Lionel Messi vazhdon të shkëlqejë në MLS, duke i dhënë Inter Miami një fitore të madhe ndaj Nashville me shifrat 3-1, në ndeshjen e parë të plejofeve për MLS Cup.
Ylli argjentinas realizoi dy gola dhe dha një asist, duke qenë njeriu kryesor në suksesin e skuadrës së drejtuar nga Gerardo Martino. Por spektakli i Messit nuk u ndal vetëm me golat e zakonshëm.
Në minutën e 84-të, ai tentoi një nga golat më të rrallë në futbollin profesionist: një Olimpico – goditje direkte nga këndi drejt portës. Topi përfundoi vetëm disa centimetra larg shtyllës, duke i mohuar Messit atë që do të ishte një tjetër perlë në koleksionin e tij të pasur.
Ky është një nga të paktët lloj golash që mungon në karrierën e tij. Por duke parë këmbënguljen dhe dëshirën e tij për të thyer çdo kufi, një gol nga këndi është vetëm çështje kohe. Fundja, as Botërorin nuk e fitoi në përpjekjen e parë.
Messi shënon me kokë si “sulmues i lindur” – ja sa herë e ka bërë këtë
Një tjetër moment magjik nga Messi në këtë përballje ishte goli i tij i parë, një “kokë fluturuese” që zhbllokoi rezultatin dhe elektrizoi stadiumin.
Megjithëse nuk është i njohur për golat me kokë, ky ishte goli i 27-të me kokë në karrierën e tij – një statistikë që rrëzon stereotipet dhe konfirmon se Messi di të shënojë në çdo mënyrë të mundshme.
Inter Miami tani i afrohet më shumë objektivit të madh në kampionat, me Messin në krye si lider dhe nxitës i ëndrrës amerikane për lavdi në futboll.
