Pas incidentit të ndodhur në Igalo, fillimisht ishte ndaluar i gjithë grupi i tifozëve të Bashkimit, “Arpagjik’t”. Megjithatë, në fund është ndaluar vetëm njëri nga pjesëtarët, i cili ka marrë përsipër përgjegjësinë për veprimin e kryer.
Incidenti ndodhi në qytetin kufitar malazez, Igalo, pranë kufirit me Kroacinë, gjatë kthimit të tifozëve për në Prizren, pas ndeshjes së FIBA Europe Cup ndërmjet Reggiana-s dhe Bashkimit, e zhvilluar dje në Emilia të Italisë.
“Arpagjik’t”, mbi një grafit të tifozëve të Crvena Zvezdës së Beogradit – “Delije” – kishin shkruar tre shkronjat “UÇK”. Pas këtij akti, banorë të lagjes janë grumbulluar në vendin e ngjarjes dhe situata ka qenë fare pranë përshkallëzimit.
Policia vendore ka ndërhyrë duke ndaluar të gjithë grupin. Siç mëson Kërlaçki, njëri nga anëtarët e “Arpagjikëve” e ka pranuar aktin dhe është ndaluar nga autoritetet, ndërsa pjesa tjetër e grupit është liruar.
Reagon fanclubi:
Pas ndalimit të tifozëve të grupit “Arpagjik’t” në Mal të Zi, ka reaguar edhe vet grupi në rrjetin social facebook, duke e cilësuar të papranueshme ndalimin e tyre vetëm për shkak të një grafiti me mbishkrimin “UÇK”.
Në reagimin e publikuar nga „Arpagjik’t“:
“Është e papranueshme që Arpagjik’t të ndalohen në Mal të Zi vetëm për një grafit të shkruar UÇK. Ata nuk kanë kryer asnjë krim, e megjithatë po mbahen padrejtësisht. Solidariteti me ta është i pakushtëzuar!”
I bëhet thirrje institucioneve të Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës në Mal të Zi, që të ndërhyjnë për të mbrojtur të drejtat e tifozëve si qytetarë të Kosovës dhe të sigurojnë lirimin e tyre të menjëhershëm.
“Të kujdesen që djemtë tanë të lirohen, të mos mbahen padrejtësisht dhe të vazhdojnë rrugën për në Kosovë”, thuhet në fund të reagimit.