La Liga anulon ndeshjen Villarreal–Barcelona në Miami pas presionit të madh

Villareal - Barcelona

La Liga ka anuluar zyrtarisht planin për të zhvilluar ndeshjen mes Villarreal dhe Barcelonës në Miami, pas javësh të tëra protestash dhe kundërshtimesh të ashpra nga lojtarët dhe tifozët.

Vendimi erdhi si rezultat i presionit të vazhdueshëm nga Shoqata e Futbollistëve Spanjollë (AFE), e cila argumentoi se zhvillimi i ndeshjeve të kampionatit jashtë Spanjës dëmton integritetin sportiv dhe përvojën e tifozëve vendas.

Në deklaratën e saj, La Liga theksoi se:

“Ky projekt përfaqësonte një mundësi historike dhe të papërsëritshme për ndërkombëtarizimin e futbollit spanjoll… Megjithatë, për shkak të pasigurisë së krijuar dhe kundërshtimeve të vazhdueshme, promotori vendosi ta anulonte.“

La Liga shprehu zhgënjimin për dështimin e këtij projekti që synonte forcimin e pranisë ndërkombëtare të ligës dhe klubeve spanjolle në një treg strategjik si SHBA. Liga theksoi se gjithçka ishte në përputhje me rregulloret federale dhe nuk cënonte integritetin e garës.

Pavarësisht anulimit, La Liga u zotua se do të vazhdojë përpjekjet për të rritur praninë globale të futbollit spanjoll dhe për të eksploruar forma të reja për të ardhur më afër tifozëve në mbarë botën.