Në javën e 7-të të edicionit 2014/15, në “Adem Jashari” të Mitrovicës, Trepça priste Prishtinën.

Torcida, në atë kohë, nuk ishte shumë aktive në ndjekjen e ndeshjeve të futbollit. Të përqendruar më shumë te basketbolli, ata kishin nisur të anojnë fillimisht nga Trepça ’89, e më pas nga Trepça, ndërkohë që shumicën e kohës mungonin në ndeshjet e futbollit.
Por, në ndeshjen e javës së 7-të, më 28 shtator të vitit 2014, ndodhi ndryshe.
Trepça, në stadiumin e saj, e priste Prishtinën. Plisat ishin nisur drejt ndeshjes, ndoshta jo me ndonjë mobilizim të madh. Si gjithmonë, Plisat kishin tendencën të vonoheshin në fillim të ndeshjes për shumë arsye. Torcida ishte pozicionuar në tribunën veriore, ndërsa tribuna perëndimore, për atë kohë, mjaft shumë publik. Plisat priteshin të vendoseshin në tribunën jugore.
Pas një tentimi sulmi jashtë stadiumit, Plisat, mes rrëmujës së madhe, arritën të futeshin në tribunën jugore. Teksa loja po zhvillohej, fluturuan koktej molotovi dhe gurë nga jashtë stadiumit dhe pati edhe tentime kontakti të afërt. Torcida tentoi t’i sulmonte Plisat në tribuna, të cilët mbrojtën pozicionin e tyre.
Ndeshja ndërpritet. Gjyqtarët, zyrtarët dhe futbollistët qëndronin pranë bankinave, ndërsa Torcida kalonte anash nga pjesa lindore, por kishte disa që kalonin edhe përpara tyre në mesymjen drejt jugut. Gjyqtarët nuk guxonin të jepnin urdhërin dhe të dërgoheshin ekipet në zhveshtore.
Pas ngjarjeve në tribuna, Policia merr një vendim të shpejtë dhe Plisat dëbohen sërish nga stadiumi, duke u kthyer në Prishtinë. Situata qetësohet, nuk ka më tifozë në fushë dhe ndeshja rifillon.
Por vetëm deri në minutën e 21-të. Një tjetër përleshje shpërthen në tribunën perëndimore. Disa të rinj po vraponin, të ndjekur nga Torcida. Këtë herë, gjyqtarët vendosin të ndërpresin përfundimisht ndeshjen dhe lojtarët strehohen në zhveshtore. Në stazën e atletikës dhe në fushë kishte shumë tifozë.
Futbollistët e Prishtinës nuk u prekën dhe arritën të futeshin në zhveshtore. Në të njëjtën kohë, bashkë me ta, nëpër tunelin e errët, u futën edhe 4-5 të rinj me fytyra të panjohura.
“Kush jeni ju? A jeni Plisa?” – ishte pyetja e prishtinasve.
Të frikësuar se mund të largoheshin nga zhveshtorja, nuk u përgjigjën menjëherë. Ata ishin ndjekur nga Torcida. Edhe Policia po i kërkonte.

“Jemi Forca!”
“Forca? Çfarë Force?”
“Jemi tifozë të Vushtrrisë, Forca! Kemi ardhur me pa ndeshjen. Na diktuan, na sulmuan!”
Shok në zhveshtoren e Prishtinës. E pabesueshme çfarë po ndodhte!
Stafi i Prishtinës nuk i dorëzoi. Me gjasë, bindën Policinë se ishin tifozë të Prishtinës që ndodheshin në tribunën perëndimore. Torcida tashmë nuk kishte më qasje në tunelin e stadiumit. Policia u bind. Forca-shat u morën me vete, bashkë me skuadrën bardhekaltër. Në njëfarë mënyre, shpëtuan Prishtinën. Vetëm Zoti e di çfarë mund të kishte ndodhur në atë ndeshje. Në fakt, edhe pikët pas asaj ndeshjeje Prishtina i mori pa lojë. Ekipi i drejtuar nga Bylbyl Sokoli ndodhej në krizë rezultatesh – katër ndeshje para dhe dy pas kësaj nuk po fitonte.
Forca-shat kishin zbritur në hyrje të Vushtrrisë, nga rruga e vjetër përmes Frashërit. I prisnin shokët e tyre në qytet. Kishin shpëtuar. Kishte shpëtuar edhe Prishtina. Ishte një ngjarje që nuk do ta harronin kurrë – as ata, as Prishtina.














