Kosova shkëlqen në Kampionatin Botëror të Paraglajdit – vendi i tretë

Kosova ka shënuar një sukses historik në Kampionatin Botëror të Paraglajdit, duke u renditur në vendin e tretë mes konkurrencës më të fortë ndërkombëtare.

Në këtë kampionat morën pjesë 140 pilotët më të mirë nga 39 shtete të botës, duke e bërë garën një ndër më të vështirat dhe më prestigjiozet në këtë sport.

Pas 12 rundëve sfiduese, beteja për podium u bë edhe më e ashpër pas rundit të gjashtë, kur vetëm gjashtë shtete arritën të kualifikohen për fazën finale. Në fund, Kina u shpall kampione e botës, e ndjekur nga Indonezia në vendin e dytë, ndërsa Kosova siguroi me meritë vendin e tretë, duke lënë pas shtete me traditë të gjatë në këtë disiplinë si Çekia (4), Serbia (5) dhe Koreja e Jugut (6).

Kosovën e përfaqësuan pilotët: Fanol Shala, Migjen Shala, Lisjeta Thaçi, Veton Syla dhe Eduard Daci, ndërsa pjesë e delegacionit ishte edhe kryetari i Federatës së Aeronautikës së Kosovës, z. Avni Kuqi.
Ky rezultat është fryt i përkushtimit të palodhshëm të sportistëve, punës profesionale të federatës dhe mbështetjes së institucioneve sportive në vend.

Në kategorinë e femrave, pilotja Lisjeta Thaçi shkëlqeu duke u renditur në vendin e tretë në botë, një arritje e jashtëzakonshme që e bën këtë sukses edhe më të veçantë për sportin kosovar.

Ndërkohë, Fanol Shala u rendit ndër 10 pilotët më të mirë në botë, konkretisht në vendin e 9-të, duke vulosur një tjetër arritje të madhe personale dhe kombëtare.

Ky rezultat e vendos Kosovën në hartën botërore të paraglajdit, duke dëshmuar se edhe një vend i vogël mund të arrijë majat e sportit përmes pasioneve të mëdha, përkushtimit dhe talentit të jashtëzakonshëm të sportistëve tanë.