Java e 10-të e Raiffeisen Ligës së Parë mbyllet sot me një super ndeshje në “Riza Lushta”, ku Trepça ’89 pret Vushtrrinë në një derbi klasik të futbollit kosovar.
Kjo sfidë pritet të jetë ndër më interesante të këtij sezoni, pasi të dy skuadrat garojnë drejtpërdrejt për vendet e para në tabelë.
Mitrovicasit, të udhëhequr nga trajneri Gani Sejdiu, kanë 16 pikë dhe me një fitore sot do të ngjiteshin në vendin e katërt me 19 pikë, duke u futur fuqishëm në garë për ngjitje.
“Minatorët” kanë treguar formë në rritje në ndeshjet e fundit dhe synojnë që në shtëpi të konfirmojnë pretendimet për rikthim në elitë.

Në anën tjetër, Vushtrria e Armend Dallkut po kalon një periudhë të mirë dhe vjen në Mitrovicë me ambicie të mëdha. Një fitore në këtë përballje do ta ngjiste skuadrën në vendin e dytë me 21 pikë – po aq sa ka aktualisht Vëllaznimi, duke rritur edhe më shumë rivalitetin në krye të tabelës.
Të dy klubet kanë histori të pasur dhe tifozëri të zjarrtë, ndërsa përballjet mes tyre tradicionalisht kanë sjellë emocione, gola dhe spektakël. Përveç rëndësisë në renditje, kjo sfidë mbart edhe ngarkesë sportive e emocionale për faktin se është duel mes dy qyteteve që jetojnë futbollin me pasion të veçantë.

Takimi zhvillohet sot (e diel) nga ora 15:00 në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në ArtSport, nëse nuk përsëriten problemet teknike që ndodhën gjatë ndeshjes Prishtina – Ballkani.
Një ndeshje që pritet të vendosë shumë për ecurinë e mëtejme të garës për kreun në Ligën e Parë.
