Kosova pret Kroacinë në Prishtinë – sfidë e madhe për vajzat tona të hendbollit

Franca - Kosova

Të dielën, nga ora 17:15, Kombëtarja e Kosovës në hendboll për femra do të përballet me KroacinëPallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, në ndeshjen e dytë të kualifikimeve për Kampionatin Europian 2026. Pas humbjes së rëndë ndaj Francës në Nimes, vajzat tona kërkojnë mbështetjen e tifozëve përballë një kundërshtari me përvojë dhe traditë si Kroacia, e cila e nisi kampanjën me fitore 25:17 ndaj Finlandës. Për Kosovën, kjo sfidë është një mundësi e vlefshme për të fituar përvojë dhe për të dëshmuar progresin në arenën ndërkombëtare.

Përballja me Kroacinë pritet të jetë një test i vështirë, pasi bëhet fjalë për një nga superfuqitë e hendbollit evropian. Kombëtarja kroate e nisi me fitore fushatën kualifikuese, duke mposhtur Finlandën 25:17 (11:8) në Sisak. Ndonëse finlandezet kaluan fillimisht në epërsi 1:0, kjo ishte e vetmja herë që ato udhëhoqën në ndeshje. Kroatet morën kontrollin e plotë, dominuan në të dy pjesët dhe siguruan një fitore të pastër falë lojës së disiplinuar dhe efikasitetit të lartë në sulm.

Më efikasja për Kroacinë ishte Dejana Milosavljeviç me pesë gola, e ndjekur nga Josipa Mamiç me katër, ndërsa Katja Vukoviç dhe Tina Barishiç shënuan nga tre herë secila. Nga ana tjetër, Emma Aarnio realizoi tetë gola për Finlandën, por kjo nuk mjaftoi për të ndalur ritmin e kroateve.

Kjo ndeshje në Prishtinë do të jetë sfida e dytë e Kosovës në Grupin 1 të kualifikimeve, ku ndodhen edhe Franca dhe Finlanda. Dy vendet e para të grupit do të sigurojnë direkt biletën për Kampionatin Europian 2026, ndërsa katër skuadrat më të mira të vendeve të treta do të kualifikohen gjithashtu.

Turneu final do të zhvillohet nga 3 deri më 20 dhjetor 2026, dhe do të organizohet nga Çekia, Polonia, Sllovakia, Rumania dhe Turqia. Përveç organizatorëve, në këtë edicion janë të kualifikuara paraprakisht Norvegjia, Danimarka dhe Hungaria – tre skuadrat më të mira të Europianit të kaluar.

Kroacia ka marrë pjesë në 13 kampionate europiane deri më tani, me suksesin më të madh në vitin 2020, kur fitoi medaljen e bronztë. Për Kosovën, megjithëse përballja me një rival të këtij niveli është tejet e vështirë, ndeshja përfaqëson një mundësi të vlefshme për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe për të forcuar grupin e ri që po ndërtohet për të ardhmen.

 

Standings provided by Sofascore

 

Kosova pëson humbje të rëndë të pritur nga Franca në ndeshjen hapëse të kualifikimeve për Euro 2026