Hendbolli: Atmosferë pozitive në Kombëtaren e Kosovës para përballjeve me Britaninë e Madhe

Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka zhvilluar të hënën dy seanca stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet kualifikuese ndaj Britanisë së Madhe. Seancat u mbajtën në palestrën sportive në Lipjan, ku, sipas stafit teknik, atmosfera brenda ekipit është shumë pozitive dhe puna po ecën sipas planit.

Grupi u kompletua paraditen e së hënës me mbërritjen e Haris Berishës, Drilon dhe Drenit Tahirukajt, si dhe Suad Pajazitit, të cilët ishin të angazhuar me klubet e tyre të dielën.

Veçanërisht bie në sy përfshirja për herë të parë në Kombëtaren A e Suad Pajazitit, i cili u shqua me paraqitjet e tij në Kampionatin Botëror U19 në Egjipt. Pajaziti është shprehur mirënjohës për besimin dhe po jep maksimumin për të justifikuar ftesën.

Përzgjedhësi Jesper Ostlund dhe ndihmësi i tij, Jasmin Zhuta, kanë punuar me ekipin mbi aspektet taktike të lojës, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm, duke përcjellë qartësisht idetë dhe skemat që do të aplikohen në duelet e ardhshme.

Ndeshja e parë ndaj Britanisë së Madhe do të luhet të mërkurën në ora 18:00 në Derby të Anglisë, ndërsa sfida e kthimit është caktuar për të dielën në ora 17:15 në Prishtinë. Fituesi i këtij çifti do të kualifikohet në raundin e dytë të eliminatoreve për Kampionatin Botëror 2027.

Kombëtarja do të udhëtojë drejt Anglisë të martën, ndërsa në mbrëmje do të mbajë një seancë stërvitore në arenën ku do të zhvillohet ndeshja.