Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë sonte ndeshjen e dytë të muajit tetor në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, ku do të përballet me Suedinë në udhëtim.
Pas barazimit ndaj Sllovenisë në “Fadil Vokrri”, Dardanët do të kërkojnë të vazhdojnë me rezultat pozitiv edhe në përballjen e radhës, që zhvillohet në stadiumin “Nya Ullevi” të qytetit Goteborg me fillim nga ora 20:45.
Suedia e ka nisur dobët këtë fushatë kualifikuese, pasi në tri ndeshjet e para ka arritur të marrë vetëm një pikë. Kjo e vendos ekipin nordik nën presion të madh për të siguruar fitoren e parë para tifozëve të vet.

Nga ana tjetër, Kosova vjen pas një performance solide ndaj Sllovenisë dhe me moral të lartë. Ekipi i udhëhequr nga Franco Foda ka regjistruar deri tani një fitore, një barazim dhe një humbje në grup.
Dardanët kanë udhëtuar drejt Suedisë me synimin për të mos u mposhtur dhe për të ruajtur ritmin e mirë që kanë treguar në javët e fundit. Foda pritet të bëjë pak ndryshime në formacion, me theks të veçantë në organizimin e lojës dhe efikasitetin në sulm.
Atmosfera në Goteborg pritet të jetë e jashtëzakonshme, pasi numër i madh tifozësh shqiptarë nga Suedia dhe vendet përreth kanë paralajmëruar pjesëmarrjen e tyre në tribuna për të mbështetur Kosovën.

Sfida ndaj Suedisë konsiderohet një test i rëndësishëm për Dardanët, të cilët kërkojnë të tregojnë stabilitet dhe pjekuri në garën për kualifikim drejt Botërorit 2026.