Italia siguron vendin e dytë në grup pas fitores ndaj Izraelit, Hungaria ndal Portugalinë – Goli i Szoboszlai në minutën e 92-të shtyn kualifikimin

Italia ka siguruar matematikisht një nga dy vendet e para në Grupin I të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026, pas një fitoreje të pastër 3-0 ndaj Izraelit në stadiumin „Bluenergy“.
Azzurrët nisën fuqishëm ndeshjen, me Retegui dhe Cambiaso që rrezikuan që në minutat e para, ndërsa Donnarumma u detyrua të ndërhyjë ndaj një goditjeje të fortë të Manor Solomon. Përpara pushimit, Retegui fitoi një penallti dhe e shndërroi vetë në gol, duke i dhënë avantazhin Italisë.
Në pjesën e dytë, Izraeli pati rastin për të barazuar, por Donnarumma u tregua vendimtar. Retegui shënoi edhe golin e dytë pas një gabimi në daljen me top të kundërshtarëve, ndërsa Mancini vulosi rezultatin 3-0 në minutat shtesë, pas një asisti nga Dimarco.
Italia mban vendin e dytë, tri pikë prapa Norvegjisë, por me dy ndeshje të mbetura, mbetet në garë për vendin e parë dhe kualifikimin direkt. Ndërkohë, Izraeli është zyrtarisht jashtë garës për një vend në Kupën e Botës.

Hungaria ndal Portugalinë – Goli i Szoboszlai në minutën e 92-të shtyn kualifikimin
Hungaria i dha fund serisë perfekte të Portugalisë në kualifikueset për Kupën e Botës 2026, duke barazuar 2-2 në Lisbonë, falë një goli të vonë nga Dominik Szoboszlai në minutën e 92-të. Ky rezultat shtyn për në nëntor mundësinë e kualifikimit matematikor të “Seleçãos”.
Ndeshja nisi me surprizë: Attila Szalai shënoi që në minutën e 8-të për Hungarinë pas një goditjeje këndi nga Szoboszlai. Portugezët reaguan shpejt dhe në minutën e 23-të, Cristiano Ronaldo barazoi me një gol të lehtë pas asistit të Nélson Semedo.
Në fund të pjesës së parë, Ronaldo realizoi edhe golin e dytë personal, këtë herë me një goditje fluturimthi pas një krosimi të Nuno Mendes, duke i dhënë epërsinë Portugalisë për herë të parë në ndeshje.
Pjesa e dytë solli raste të shumta për të dyja ekipet. Dias dhe Bruno Fernandes goditën shtyllën brenda një minute për vendasit, ndërsa Szalai rrezikoi me një goditje me kokë që përfundoi në traversë për Hungarinë.
Kur dukej se Portugalia do siguronte tri pikët, Szoboszlai përfitoi nga një asist i Lukács dhe barazoi në kohën shtesë, duke siguruar një pikë të artë për Hungarinë – që mbetet përpara Irlandës në Grupin F.
Portugalia, megjithëse ruan kreun e grupit, do duhet të presë ndeshjet e nëntorit për të vulosur kualifikimin zyrtar në finalet e vitit të ardhshëm.
Cristiano Ronaldo eating well tonight now Portugal 🇵🇹 is leading Hungary 🇭🇺 2:1
— 21 . (@Hileytweets) October 14, 2025
