Spanja vijon rrugëtimin e saj perfekt në Grupin E, duke hedhur një tjetër hap drejt kualifikimit të 13-të radhazi në Kupën e Botës, pasi mposhti Bullgarinë me rezultatin bindës 4-0 në stadiumin “José Zorrilla” të Valladolidit. Ndërkohë, bullgarët mbeten pa asnjë pikë dhe zyrtarisht të eliminuar nga gara. Ndërsa dy gola nga Merih Demiral i dhanë Turqisë një fitore të thellë 4-1 ndaj Gjeorgjisë në stadiumin “Kocaeli”, duke rritur ndjeshëm shpresat për një kualifikim në finalet e Kupës së Botës – të parin që nga viti 2002, kur përfunduan në vendin e tretë. Fitorja gjithashtu i garanton Turqisë të paktën një vend në “play-off”.
Portieri Svetoslav Vutsov ishte një nga tetë ndryshimet që trajneri Aleksandar Dimitrov bëri pas humbjes shkatërruese 6-1 ndaj Turqisë në debutimin e tij, dhe ai reagoi mirë ndaj rrezikut të parë të spanjollëve – një goditje të Alex Baena pas nëntë minutash. Dominimi spanjoll e detyroi Bullgarinë të mbrohej thellë, duke rezistuar deri kur Pedri shërbeu për Samu Aghehowa, i cili detyroi Vutsovin të ndërhynte me pritje cilësore, përpara se vetë Pedri të depërtonte në zonë, të krosonte mbi portierin dhe të shihte topin të përplasej në traversë.
Aghehowa, në ndeshjen e tij të parë si titullar me kombëtaren, vazhdoi përpjekjet për të shënuar, por një goditje e kthyer shpejt u prit sërish nga Vutsov. Në minutën e 30-të, një gjysmë-volley i Pedrit përfundoi jashtë kuadratit, duke e çuar në 15 numrin total të rasteve për Spanjën. Mikel Oyarzabal iu afrua golit me një goditje të fuqishme që kaloi pak mbi traversë, përpara se rezistenca bullgare të thyhej dhjetë minuta para përfundimit të pjesës së parë. Një top i gjatë u devijua me kokë nga Robin Le Normand drejt Mikel Merinos, i cili e dërgoi topin në rrjetë me një goditje tjetër me kokë – goli i tij i pestë në këto kualifikime.
„La Roja“ kishte shënuar të paktën dy gola në dhjetë ndeshjet e fundit, dhe në pjesën e dytë, tri mundësi për të vazhduar këtë seri iu dhanë Borja Iglesias, por dy herë u ndal nga Vutsov, ndërsa në rastin e tretë dërgoi topin jashtë. Spanja nuk kishte nevojë të shqetësohej, pasi Merino realizoi golin e dytë personal me kokë, duke shfrytëzuar krosimin e saktë të Alejandro Grimaldos.
Pa shumë paralajmërim, Bullgaria rrezikoi me Kiril Despodovin që u shfaq i vetëm përballë portierit, por edhe pse kaloi Unai Simonin, gjuajtja e tij kaloi ngjitur me shtyllën. Trajneri Luis de la Fuente aktivizoi Pablo Barrios dhe Yeremy Pino, të cilët krijuan rrezik, dhe në minutën e 79-të, Pino pasoi për Baenan, i cili ktheu topin në zonë, ku debutuesi Atanas Chernev e devijoi në rrjetën e vet.
Në kohën shtesë, debutimi i dytë i hidhur për Bullgarinë erdhi kur Martin Georgiev shkaktoi penallti ndaj Merinos, duke i dhënë mundësinë Oyarzabalit të shënojë edhe golin e katërt.
Spanja tashmë ka realizuar 15 gola dhe nuk ka pësuar asnjë në këtë grup, ndërsa Bullgaria ka pësuar pesë humbje radhazi me një golavarazh negativ 20-1.

Gjeorgjia shembet përballë Turqisë së Demiralit
Dy gola nga Merih Demiral i dhanë Turqisë një fitore të thellë 4-1 ndaj Gjeorgjisë në stadiumin “Kocaeli”, duke rritur ndjeshëm shpresat për një kualifikim në finalet e Kupës së Botës – të parin që nga viti 2002, kur përfunduan në vendin e tretë. Fitorja gjithashtu i garanton Turqisë të paktën një vend në “play-off”.
Të frymëzuar ende nga fitorja 6-1 ndaj Bullgarisë në fundjavë, turqit nisën vrullshëm dhe kaluan në avantazh pas vetëm 16 minutash. Abdülkerim Bardakcı dhuroi një top të gjatë për Kenan Yıldız, i cili shmangu mbrojtësin Otar Kakabadze dhe e kaloi topin mbi portierin Giorgi Mamardashvili. Fillimisht u akordua pozicion jashtë loje, por pas shqyrtimit me VAR, u konfirmua se Yıldız ishte në pozicion të rregullt – dhe goli u miratua mes entuziazmit të tifozëve vendas.
Me Yıldız që nuk kishte humbur asnjë ndeshje në të cilën kishte shënuar më parë, shenjat ishin të mira për Turqinë – dhe gjërat u përmirësuan edhe më shumë pas vetëm gjashtë minutash, kur Merih Demiral shënoi me kokë në shtyllën e parë pas një goditjeje nga këndi të Hakan Çalhanoglut. Në të kundërt, Gjeorgjia ishte shumë larg skuadrës që kishte befasuar në Euro 2024 duke arritur deri në 1/16-at, dhe Turqia shtoi edhe një gol të tretë përpara pushimit, kur Yıldız depërtoi në zonë dhe pasoi për Arda Güler. Goditja e këtij të fundit u ndal në vijën fatale, por topi përfundoi te Yunus Akgün, i cili e dërgoi në rrjetë pa vështirësi.
Kjo ishte ndeshja e nëntë nga 11 të fundit për Turqinë që prodhon më shumë se 2.5 gola, ndaj ritmi i lartë nuk ishte surprizë. Ajo që ishte befasuese, ishte dominimi total ndaj Gjeorgjisë, dhe vetëm shtatë minuta pas rifillimit, Demiral realizoi golin e dytë personal, sërish me kokë, duke e çuar rezultatin në 4-0.
Pjesa e dytë solli një reagim më të mirë nga gjeorgjianët, të cilët arritën të shënonin golin e nderit përmes Giorgi Kochorashvili, që finalizoi bukur një pasim të guximshëm nga Otar Kiteishvili – në kontaktin e fundit të këtij të fundit në ndeshje. Turqia, ndërkohë, u tërhoq në mbrojtje për të ruajtur epërsinë dhe arriti ta mbyllë ndeshjen pa rrezik të mëtejshëm.
Gjeorgjia, që kurrë nuk dha shenja se mund të rikuperonte diferencën, u dorëzua përfundimisht në humbjen e shtatë në 10 ndeshjet e fundit jashtë fushe. Fitorja e çon Turqinë gjashtë pikë përpara Gjeorgjisë, me vetëm dy ndeshje të mbetura në grup. Me një golavarazh dukshëm më të mirë, “Yjet e Gjysmëhënës” janë shumë pranë kualifikimit, ndërsa shpresat e Gjeorgjisë për një vend në “play-off” duken thuajse të shuar pas kësaj humbjeje të rëndë.