Superliga e Kosovës në hendboll për meshkuj vazhdoi këtë fundjavë me ndeshje plot rivalitet dhe rezultat surprizues. Kastrioti mposhti Vëllaznimin në ndeshjen e fundit të javës, Rahoveci konfirmoi formën e lartë me fitore ndaj Besa Famgasit, Prishtina regjistroi suksesin e parë sezonal, ndërsa Trepça shijoi fitoren e parë në edicion.

Kastrioti fiton bindshëm ndaj Vëllaznimit në ndeshjen e fundit të xhiros së tretë
Kastrioti i Ferizajt ka mbyllur me fitore xhiron e tretë të Superligës së Kosovës në hendboll, duke triumfuar me rezultat të thellë 50:29 ndaj Vëllaznimit të Gjakovës, në ndeshjen e zhvilluar të dielën mbrëma në Ferizaj.
Për vendasit shkëlqeu Felippe Teixeira me 11 gola, ndërsa Festim Mustafa kontribuoi me 9 dhe Alban Haziri me 6 gola.
Në radhët e mysafirëve, më efikasi ishte Florian Rexha me 8 gola, ndërsa Ardi Halili realizoi 6 dhe Çlirim Rama shtoi 5.
Kjo ishte fitorja e dytë sezonale për Kastriotin, ndërsa Vëllaznimi regjistroi humbjen e parë në kampionat.
Rahoveci ndal Besa Famgasin në “Mizahir Isma”
Në derbin e javës së tretë, Rahoveci arriti një fitore të madhe ndaj Besa Famgasit me rezultat 31:28. Skuadra vendase mbajti kontrollin e lojës dhe, pavarësisht një rikthimi të shkurtër nga Besa në minutën e 54-të (26:26), riktheu epërsinë dhe mbylli takimin me tri gola diferencë. Arbios Mushkolaj udhëhoqi me 11 gola, Egzon Gjuka shtoi 7 dhe Granit Kadiri 5. Te Besa Famgasi u dallua Ahmed Zayan Amr Ali me 9 gola.
Prishtina shënon fitoren e parë sezonale
Skuadra e Prishtinës më në fund ka regjistruar fitoren e parë në sezonin 2025/2026, duke triumfuar ndaj Vushtrrisë në Samadrexhë me shifrat 42:36. Prishtinasit nisën mirë dhe nuk e lëshuan epërsinë gjatë ndeshjes. Enis Kuleta ishte në formë të shkëlqyer me 12 gola, Albi Gjuka realizoi 9 dhe Altin Cacaj 8. Te vendasit, Egzon Ademi ishte fantastik me 13 gola, i ndjekur nga Muhamed Halili (7) dhe Armend Karaça (6). Prishtina tani ka një fitore dhe dy humbje, ndërsa Vushtrria mbetet pa pikë pas tri ndeshjesh.
Trepça ngjallet me fitore ndaj Llapit
Mitrovicasit e Trepçës siguruan pikët e para të sezonit duke mposhtur Llapin 33:29 në një përballje të fortë. Sali Maxhera shkëlqeu me 9 gola, ndërsa te Llapi më efikasi ishte Blerton Hasani me 7 realizime.